Incidenti i turpshëm, “lojtari i 12-të” shënon “gol” në anësore
Tifozët e futbollin etiketohen si lojtari i 12-të dhe ka arsye të forta pse ndodh kjo: atmosfera e zjarrtë, dekurajimi i ekipit kundërshtar, presioni etj.
Mirëpo në Spanjë, të hënën që lamë pas, në një ndeshje të La Liga-s, një mbëtetësh i Rayo Vallecanos, pjesë e së cilës është futbollisti i Kombëtares Shqiptare, Ivan Balliu, e ka shfrenuar imagjinatën duke shkelur kufijtë e sjelljes normale.
Ai është fiksuar nga kamerat duke i futur gishtin në të pasme lojtarit të Sevillas, Lucas Ocampos, teksa ky i fundit po kryente një rivënie anësore.
Futbollisti njoftoi kryesorin për këtë rast, para se të vazhdonte lojën. Sulmuesi argjentinas tha se dëshiron që La Liga ta trajtojë incidentin “aq seriozisht sa duhet marrë racizmi”: “Kam ruajtur qetësinë sepse kam dy vajza, shpresoj që kjo të mos iu ndodhë në të ardhmen”.
Klubi i Sevillas, ndërkohë, lëshoi një deklaratë:
“Duam të shprehim neverinë tonë si klub për incidentin. Lucas Ocampos iu nënshtrua një akti të turpshëm dhe krejtësisht të papërshtatshëm nga një tifoz vendas. Shpresojmë që të merren masat e duhura të përcaktuara në rregullore për të parandaluar që një sjellje e tillë të përsëritet në një fushë futbolli. Këtë ia kemi shprehur La Liga-s, drejtpërdrejt”.
Nga ana tjetër Rayo Vallecano siguroi se po punonte për ta identifikuar tifozin dhe se do të marrë masat e duhura disiplinore ndaj tij.
“Ky veprim i izoluar është vetëm përgjegjësi individuale e tifozit që e kreu atë. Rayo Vallecano aktualisht po punon për identifikimin e tifozit në mënyrë që, nëse ai është mbajtës i biletave sezonale të klubit, të mund të merren masat e duhura disiplinore në përputhje me rregulloret e brendshme”.