Mbappe do të heqë dorë nga 80 milionë euro
Kylian Mbappe ka zgjedhur Real Madridin. Në Spanjë dhe Francë nuk kanë më asnjë dyshim për këtë çështje dhe diskutimet tani janë fokusuar në detajet ekonomike që lidhen me transferimin.
Me kontratën aktuale që skadon në qershor, sulmuesi së shpejti duhet t’i komunikojë zyrtarisht PSG-së synimin e tij për të mos rinovuar, atëherë ai do të duhet të respektojë paktin e bërë personalisht me Nasser Al-Khelaifi.
Në mënyrë të detajuar, në rast të një transferimi zero te Real Madridi, Mbappe në fakt duhet të heqë dorë nga bonusi i besnikërisë prej 80 milionë eurosh që Parisi duhet t’i paguajë në fund të këtij sezoni.
Heqja dorë nga një shumë e tillë, së bashku me një pagë më të ulët, nënvizon dëshirën e madhe të lojtarit për t’u transferuar në Madrid.
Edhe pse ende nuk ka asnjë lajm apo njoftim zyrtar, në Spanjë ka besim total në suksesin e kalimit të Kylian në oborrin e Ancelottit. Dhe përshtypja është se situata mund të zgjidhet në javët e ardhshme. Ajo që do ta bindte Mbappen të shkonte te Real Madrid, për më tepër, nuk do të ishte një ofertë financiare më e lartë se ajo e PSG-së.
Pas një bonusi të madh pas nënshkrimit të kontratës, në Madrid sulmuesi francez duhet të fitojë një pagë fikse më të ulët se 72 milionë euro të vendosur në tavolinë nga PSG. Detaje që përvijojnë pjesë-pjesë enigmën e negociatave me madrilenët dhe që kombinuar me shkëmbimet e vazhdueshme pozitive mes Real Madridit dhe rrethit të lojtarit, sugjerojnë ardhjen e afërt të tymit të bardhë të shumëpritur.
Sa i përket PSG-së, në pritje të komunikimeve zyrtare nga Kylian, ata kanë filluar të planifikojnë për të ardhmen. Në pamundësi për të mbajtur francezin, Al-Khelaifi po studion një strategji agresive në tregun e transferimeve për të zëvendësuar Mbappe.
Përveç sjelljes së një lojtari të kalibrit të Victor Osimhen apo Rafael Leao në Paris, synimi i PSG-së është që të investojë menjëherë shumën e kursyer mes pagës së Kylian dhe bonusit të besnikërisë për të bërë dy lëvizje të tjera të rëndësishme: një në mbrojtje dhe tjetrën në mesfushë.