Të martën shorti për Evropianin e Shteteve të Vogla dhe grupmoshat e reja
Të martën (nesër) në Munih të Gjermanisë do të hidhet shorti për Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla dhe grupmoshat e reja që do të garojnë gjatë verës.
Shorti do të hidhet nga ora 11:00 dhe do të transmetohet në faqen e FIBA-s në YouTube.
Në mbledhjen e Bordit të FIBA Evropës ishte vendosur që Kosova të jetë organizatore për FIBA Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla te femrat (25-30 qershor), si dhe Kampionatin Evropian, Divizioni C për femra U18. Ky kampionat do të organizohet nga 23 deri më 28 korrik.
Kjo është hera e parë që Evropiani për Shtetet e Vogla te femrat do të organizohet në Prishtinë, ku vashat Dardane do të luajnë para publikut vendas.
Kosova do të marrë pjesë me U20 te meshkujt në Divizionin B, që zhvillohet në Rumani nga 12 deri më 21 korrik.
Kosova me U18 meshkujt do të garojë në Divizionin B, që zhvillohet në Maqedoninë Veriore, nga 26 korriku deri më 4 gusht.
Kosova U16 meshkujt do të luajë në Durrës të Shqipërisë, në Divizionin C nga 9 deri më 14 korrik.
Kosova U16 te femrat do të garojë në Divizionin B, ku Turqia pritet të konfirmohet si organizatore, nga 15 deri më 24 gusht.