Broja debuton me Fulham, trajneri tregon pse nuk luajti titullar
Në ditën e fundit të merkatos dimërore, sulmuesi shqiptar Armando Broja ndryshoi skuadër, duke u larguar nga Chelsea për të nisur një aventurë të re te Fulham, skuadër me të cilën do të aktivizohet në pjesën e mbetur të sezonit.
Sulmuesi kuqezi ka debutuar ditën e djeshme me fanellën e Fulham, ku u fut si zëvendësues në minutën e 74-të në transfertën kundër Bërnlit.
Broja nuk arriti që të gjejë rrugën e rrjetës në ndeshjen e tij të parë me londinezët (takimi u mbull në barazim 2-2), por është e qartë që te Fulham do të ketë më shumë hapësira në fushën e blertë.
Ka qenë vetë tekniku i Fulham që pas ndeshjes ka komentuar aktivizimin e sulmuesit: “Është shumë shpejt për ta hedhur në fushë si titullar (pasi vjen pas një dëmtimi). Do ta vlerësojmë gjendjen e tij dhe më pas do të shohim. Broja mori një goditje në kavilje, por më tha se mund të vazhdonte të luante dhe unë e mbajta në fushë”, ka thënë trajneri i Fulham, Marco Silva.