“Sevilla ka mentalitet të jashtëzakonshëm”, Guardiola lavdëron kundërshtarët para finales
Mbrëmjen e së mërkurës, Manchester City do të kërkojë të koleksionojë një tjetër trofe nën drejtimin e trajnerit Pep Guardiola teksa përballet me Sevillan në finalen e Superkupës së Europës.
Para finales, tekniku spanjoll “thuri” elozhe për kundërshtarët duke theksuar se spanjollët janë një skuadër me mentalitet të jashtëzakonshëm ndërsa shtoi se ekipi i tij duhet ta shfrytëzojë dhe shijojë këtë sfidë pasi nuk i dihet se kur do t’i jepet sërish mundësia të luajë për trofeun e Superkupës.
“Për të luajtur një finale si kjo e Superkupës duhet të bësh gjëra të jashtëzakonshme, ne në këtë moment kemi shumë dëshirë ta sfidojmë veten. Dua që të mbrojmë atë rrugëtim të sezonit të kaluar në Champions League, kompeticion të cilin e fituam. Jemi të lumtur që marrim pjesë në një finale të tillë, duhet ta shijojmë pasi nuk i dihet se kur do të rikthehemi të luajmë sërish një ndeshje të kësaj përmasave. Komplimente për Sevillan sepse janë një kundërshtar i fortë, skuadër me mentalitet të jashtëzakonshëm”, u shpreh Guardiola.