Podolski për yllin e Real Madrid: “Duket se ka bërë zgjedhjen e gabuar”

Podolski për yllin e Real Madrid: “Duket se ka bërë zgjedhjen e gabuar”

Te Real Madrid kryesues në La Liga ka vetëm një lojtar të mërzitur. Po flasim për Arda Guler.

Talenti turk 18-vjeçar, pas shumë dëmtimeve, më në fund është rikthyer në dispozicion, por ende nuk po arrin të gjejë vend në formacionin titullar.

Lukas Podolski foli sesi ky moment mund të ndikojë në karrierën e tij:

“Të gjithë e konsiderojnë Arda Gulerin si një talent të madh. Ne do të shohim në të ardhmen nëse ideja për të shkuar në Real Madrid ishte e mirë apo jo. Ndoshta nënshkrimi i tij për Real Madrid ndodhi shumë shpejt: në muajt e ardhshëm ai nuk do të jetë vazhdimisht titullar.

“Nuk është e lehtë të shkosh nga Fenerbahçe dhe të gjesh një vend te Real Madrid. Sigurisht, Fenerbahçe është një klub fantastik, por Real Madridi është në një nivel tjetër. Në një klub si ky nuk të japin kohë, luajnë për të fituar të gjithë trofetë”.

Ish-lojtari i Bayernit dhe Arsenalit siguron se qëndrimi për një kohë të gjatë në stol për një lojtar të ri mund të jetë zhgënjyes:

“Kur je i ri, të luash është gjëja më e rëndësishme. Për shembull, Musiala i Bayern luante që në moshë shumë të vogël në çdo ndeshje, rritej, bënte gabime dhe mësonte. Kur je vazhdimisht në stol humbet motivimi”.

Podolski ofron një zgjidhje të mundshme:

“Arda kishte dëmtime dhe nuk luajti fare në gjysmën e parë të sezonit. Mund të ketë kuptim edhe ta huazosh atë në një ekip tjetër. Kujtoni Toni Kroos, i cili në moshën 19-vjeçare shkoi në huazim te Leverkusen dhe më pas u kthye shumë i fortë te Bayerni”.

 

 

Share This