“United për titull? Jo, harrojeni! City dhe Arsenali janë nivel tjetër”
Manchester United e nisi sezonin e ri në Premier League me fitoren 1-0 ndaj Wolves, sfidë që u vendos nga goli i francezit Raphaël Varane.
“Djajtë e Kuq” synojnë rikthimin te titulli kampion, që në “Old Trafford” mungon prej vitit 2013.
Skuadra e Erik ten Hag është përforcuar shumë në merkato, por Gary Neville, ish-mbrojtësi i United, nuk e cilëson skuadrën e tij të zemrës si pjesë të garës për titullin kampion në ishull.
“Ka nga ata që janë të sigurt se Manchester United duhet të luftojë për titullin. Duke parë nivelin e Arsenalit dhe sa mirë ka bërë Manchester City, unë mendoj se nuk është reale të thuash se United do të garojë për kreun.
Vijoj të mendoj se vendi i tretë do të ishte si një trofe për skuadrën e Ten Hag, do ishte një sukses i madh. Por e kuptoj se nga vjen presioni për të fituar titullin. Pasi drejtuesit kanë shpenzuar pafund për të përforcuar skuadrën”.
United luan ndeshjen e dytë në kampionatin anglez në transfertë përballë Tottenhamit. Duel i programuar për datën 19 gusht (18:30), që do të transmetohet në SuperSport/DigitAlb.