Largimi i Zaniolos e hap rrugën e rikthimit të Rashicës në Galatasaray
Nicolo Zaniolo do të largohet nga Galatasaray nesër për t’iu bashkuar Aston Villës, fillimisht në formë huazimi e më pas me gjasë me blerje përfundimtare.
Dhe, ky ndryshim në klubin nga Stambolli do t’ia hap rrugën e rikthimit Milot Rashicës.
Ylli kosovar është rikthyer përkohësisht në Norwich City, i cili mban kartonin e lojtarit, pas një sezoni fantastik që e pati tek Galata në formë huazimi.
E tash, me paratë që do t’i fitojë nga, fillimisht huazimi e më pas shitja e mesfushorit italian, klubi i Superligës turke do ta ketë mundësinë ta realizojë transferimin e futbollistit vushtrrias.
Klubi nga Championshipi i kërkonte 8 milionë euro, ndërsa mediumi turk “Aksam” mëson se tash anglezët kanë rënë në 6 milionë.
E kjo shumë është e kapshme për Galatasarayn, i cili pritet ta rikthejë përfaqësuesin kosovar në ditët në vazhdim.
Edhe vetë lojtari e ka dhënë dritën e gjelbër pasi në Stamboll është ndier mjaft mirë dhe dëshiron ta vazhdojë aty rrugën e nisur.
Rashica në sezonin e kaluar i zhvilloi 30 ndeshje me Verdhekuqtë, ndërsa në 23 prej tyre ishte titullar, shkruan “Express”.
Në 1950 minuta të luajtur, ish-futbollisti i Vitesses dhe Werder Bremenit i ka realizuar 6 gola dhe i ka bërë 7 asistime.
Rashica nuk u përfshi në skuadrën e Norwichit, i cili u përball me Southamptonin në fundjavë dhe ky fakt e rrit edhe më shumë mundësinë e realizimit të këtij transferimi.