“Prishtina klubi më i madh në histori, Trepça e dyta”, konkludim njëzëri i të ftuarve në “Favorit”
Kohëve të fundit është rikthyer tema delikate se cilat klube janë më të mëdhatë në histori të futbollit kosovar.
Kjo temë u riaktualizua edhe në javën e fundit kur trajneri Ismet Munishi, analist në emisionin “Favorit” në T7, i radhiti Prishtinën, Trepçën, Lirinë dhe Vëllaznimin si katër klubet më të mëdhenj në histori të futbollit, ndërsa shtoi se Ballkanit, përkundër sukseseve të fundit të jashtëzakonshme, i nevojiten edhe 20 vjet me suksese të njëpasnjëshme për ta arritur nivelin e klubeve të lartpërmendura.
Trajneri karizmatik foli edhe mbrëmë rreth kësaj çështjeje, duke bërë krahasime interesante të klubeve kosovare me ato me renome botërore.
“Fillimisht kur jemi në pushim të garave, duhet prekur disa tema që janë interesante për publikun, për trashëgimtarët e tonë… duke i shtjelluar këto ndeshje ngritën debate në publik. Prishtina, Trepça, Vëllaznimi dhe Liria janë klubet më të mëdha. Dikur rivaliteti dhe organizimi i klubeve ishte si i Real Madridit e Barcelonës. Prishtina është Real Madridi, Trepça është Barcelona”, tha fillimisht trajneri kosovar, që gjithashtu theksoi se “para 40-50 vjetëve klubet kanë pasur organizim e infrastrukturë më të mirë se tani”.
“Ballkani është si Girona, po luan mirë, por i vyen kohë të arrijë te Real Madridi dhe Barcelona (Prishtina dhe Trepça). Mund të themi me sukseset që ka arritur në Evropë, por jo me tituj se Prishtina e Besa kanë më shumë, është storje suksesi. Mirëpo, kur flasim për traditën dhe historinë, Prishtina, Trepça, Liria e Vëllaznimi janë katërshja e madhe e futbollit. Prishtina doli tash nga problemet, por është për të ardhur keq që Lirinë e kemi me probleme, e Trepçën dhe Vëllaznimin në Ligën e Parë”, shpjegoi Munishi.
“Nuk kemi futboll të fortë dhe rivalitet. Nuk kemi shikues, ka vetëm ka 50 shikues në ndeshje. Prej faktorëve kryesorë që nuk ka shikues është rivaliteti”, deklaroi tutje Munishi.
Ndërkohë, trajneri Ajet Shosholli i kishte udhëhequr tri nga katër klubet që i përmendi Munishi si më të mëdhenjtë në histori.
Trajneri mitrovicas ndihet i lumtur dhe krenar që i kishte drejtuar Prishtinën, Trepçën dhe Vëllaznimin, ndërsa e jep mendimin e tij sa u përket klubeve më të mëdha.
“Secila etapë e ka rëndësinë e vet. Një prej etapave më cilësore të futbollit kosovar vlerësoj se është e viteve të 60-ta dhe 70-ta. Protagonistët kryesorë kanë qenë Prishtina, Trepça, Liria dhe Vëllaznimi. Me këto klube është identifikuar futbolli kosovar në ish-Jugosllavi dhe më gjerë. Periudha 91-99 është më e rëndësishmja për mua, jo më cilësorja. Them kështu sepse futbolli i Kosovës ishte ‘suigeneris’. Në këto vite ishim të gjithë protagonist. Etapat tjera janë pas lufte dhe pas pranimit në FIFA e UEFA”, u shpreh Shosholli në “Favorit”.
“Klubi më i madh deri në vitet e 80-ta ishte Trepça. Është klubi i parë që ka hyrë në ligën e parë ish-konfederative të Jugosllavisë. Edhe pse kishte rënë nga liga pas një viti, kishim luajtur një finale shumë të madhe para 50 mijë shikuesve”, shtoi ish-futbollisti i shquar kosovar, shkruan “Gazeta Express”.
“Prej vitit 82-83 kur Prishtina hyri në ligën e parë, Prishtina e mori primatin e futbollit kosovar. Prishtina garoi me shumë sukses, pavarësisht padrejtësive të mëdha. Prishtina ishte një kombëtare e të gjithë shqiptarëve. Futbollistët e Prishtinës së atëhershme ishin të përkëdhelurit e popullit. Prishtina, Trepça, Vëllaznimi e Liria, kanë bërë gara me shtatë shtete me 22 milionë banorë. Tani rruga për të dalë në Evropë është më e lehtë. Respekt për Ballkanin sepse të gjithë jemi krenarë me sukseset e tij, por nuk krahasohet me Prishtinën. Sipas meje, Prishtina dhe Trepça janë klubet më të mëdha. Gjeneratat tash ndoshta nuk e dinë që Prishtina ka qenë pjesë e ‘Intertoto Cup’. Edhe ajo është garë ndërkombëtare”, deklaroi mes tjerash Shosholli.
Të të njëjtit mendim ishin edhe të ftuarit tjerë të “Favoritit”, Rafet Prekazi, Valdet Shoshi dhe Esad Ejupi.
Madje, trajneri mitrovicas i përmendi edhe privilegjet që i kishin lojtarët kur ishin pjesë e klubit kryeqytetas, duke përfituar banesa, vetura dhe lokale.
Për këtë, ai insiston se ky klub ishte i suksesshëm pasi i kishte të gjitha kushtet për të qenë i tillë.