“Në Angli të gjithë qeshin me Kane”
Harry Kane la Tottenhamin për Bayernin verën e kaluar, sepse sulmuesi anglez kërkon të fitojë titullin e tij të pare në karrierë, pasi në moshën 30-vjeçare ai ende nuk e ka arritur këtë gjë.
Ai besonte se duke ndërruar skuadrën mund ta bënte këtë. Skuadra gjermane pagoi 100 milionë për transferimin e sulmuesit dhe performanca e tij individuale është e jashtëzakonshme, madje duke thyer rekordet e golave të Lewandowskit në vitin e tij të parë në Bundesligë. Por duket se objektivi kryesor i Kane, fitimi i titujve, nuk është aspak i lehtë.
Ish-futbollisti anglez, Paul Parker, i cili ka luajtur për shumë skuadra në Premierligë, si Manchester United apo Chelaea, e kritikon ashpër futbollistin anglez duke thënë se atij i interesojnë vetëm rekordet individuale: “Kane shqetësohet vetëm për të thyer rekordin e golave të Lewandowskit. Kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi për të dhe më pas ai do të dëshirojë të kthehet në Premier League dhe të vendosë një rekord tjetër, atë të golashënuesit më të mirë në historinë e ligës angleze. Është shumë egoist”.
Por Parker nuk ndalet me kaq.
Ai siguron se në Angli njerëzit qeshin me Kane, pasi lojtari ndërroi Tottenham për Bayern për të fituar tituj dhe për momentin nuk po ia arrin qëllimit: “Të gjithë qeshin me të në Angli. Kane u largua nga Totenhem sepse donte të fitonte trofe dhe nuk po fiton asgjë. Bayern është eliminuar nga Kupa dhe është i dyti në Bundesligë. E kam thënë edhe më parë se Tottenhami është më mirë pa të”, përfundoi ish-futbollisti anglez.
Dhe ato që thotë Parkeri janë të vërteta. Bajerni i Mynihut është në vendin e dytë në Bundesligë, 4 pikë larg Leverkusenit kryesues dhe i eliminuar nga Kupa.
Në Ligën e Kampionëve bavarezët janë ende në garë dhe do të duhet të luajnë në 1/16 kundër Lazios. Pavarësisht 26 golave dhe 8 asisteve që ka dhënë, në 25 ndeshje, sulmuesi anglez është i zhgënjyer se ende nuk e di se çfarë do të thotë të fitosh një titull.
Ai ka ende mundësi në Bundesligë dhe Ligën e Kampionëve, por pa qenë aktualisht favorit i madh në të dyja kompeticionet. Kane kërkon të thyejë tersin, por ndërkohë, në Angli gëzohen se ndryshimi i tij nuk është ai që priste sulmuesi.