Mançini thyen heshtjen dhe tregon arsyen e largimit të papritur
Roberto Mançini ka befasuar të gjithë duke u larguar nga drejtimi i Italisë.
Trajneri i njohur me vendimin që mori habiti jo pak madje edhe u akuzua se kishte bërë gjithçka që të shkonte në Arabi ku e priste një ofertë e majme.
Por trajneri, i cili udhëhoqi Italinë drejt triumfit të fundit në Europian, nuk ka pranuar që të konsiderohet siç e kanë përshkruar në medie dhe për këtë arsye ka thyer heshtjen dhe ka treguar shkaqet që e shtynë drejt largimit nga ‘Azzurët’.
Në një intervistë për të përditshmen italiane ‘La Repubblica’, trajneri italian ka treguar se ka qenë presidenti i FIGC ai që nuk ka dashur ta mbante duke bërë që ky të ofronte dorëheqjen.
“Nuk kam bërë asgjë për t’u kryqëzuar kështu. Sapo dhashë dorëheqjen dhe thashë se ishte zgjedhja ime, mora përgjegjësinë e plotë për vendimin. Nuk u fsheha. Unë kisha folur me presidentin Gravina dhe u përpoqa t’i shpjegoja arsyet e mia. Ishite ai që më largoi pasi më hoqi të gjithë bashkëpunëtorët e mi”, tha Mançini.