Të shtunën bëhet lansimi i Projektit “Safeguarding the Future”
Të shtunën, më 27 janar 2024 do të bëhet lansimi i projektit “Safeguarding the Future”, me ç’rast do të organizohet konferenca e parë për media në kuadër të këtij projekti nga ora 12:30 në hotel ‘Four Points by Sheraton Prishtina’.
Në konferencë do të marrin pjesë zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.
Në konferencë do të jenë të pranishëm edhe Presidenti i Federatës së Basketbollit të Bullgarisë, Georgi Glushkov dhe Drejtoresha e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Projekteve Speciale, Eleonora Rangelova, si dhe Drejtori i Ligës dhe Garave në Federatën e Basketbollit të Estonisë, Henri Ausmaa.
Krahas tyre në konferencë do të jenë të pranishëm edhe anëtarë të Bordit të FBK-së, përfaqësues nga institucione të tjera të Kosovës, mediat në vendin tonë, si dhe grupe të tjera të interesit të FBK-së.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është fituese e projektit SAFEGUARDINGTHEFUTURE në kuadër të Erasmus +, në të cilin projekt FBK është koordinatore, përderisa partnere të saj janë Federata e Basketbollit të Estonisë, Federata e Basketbollit të Bullgarisë dhe Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK).
“Qëllimi kryesor i projektit është të ndërmarrë veprime për të mbrojtur njerëzit nga çdo lloj abuzimi në basketboll. Për ta bërë këtë, projekti do të krijojë sisteme mbrojtëse për të gjitha federatat kombëtare të basketbollit, në Kosovë, Estoni dhe Bullgari. Ky projekt do të zgjasë 18 muaj, duke filluar nga janari 2024 deri në qershor 2025”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
Duhet theksuar se ky është projekti i dytë i fituar nga Federata e Basketbollit e Kosovës në Erasmus+, pas projektit PROMISE që ka për qëllim të promovojë përfshirje dhe pjesëmarrje më të madhe të vajzave dhe grave në basketboll në të gjitha nivelet e përgjegjësisë përmes hartimit, zbatimit dhe vlerësimit të një programi të ndërhyrjes.
PROMISE është një partneritet bashkëpunimi me 7 organizata nga 6 vende evropiane (Spanja, Irlanda, Kosova, Portugalia, Bullgaria dhe Franca).