United vuan, por e nis me “këmbë të mbarë sezonin”, Wolverhampton “bie” në Old Trafford!
Manchester United e nisi me fitore sezonin e ri të Premier League teksa “Djajtë e Kuq” mposhtën me shifrat 1-0 në Old Trafford, Wolverhampton.
Goli vonoi dhe në disa raste miqtë “trembën” vendasit, megjithatë të besuarit e trajnerit Erik ten Hag goditën në momentin e duhur dhe iu falën një goli të qendërmbrojtësit, Raphael Varane.
Sa i takon kronikës së sfidës, pjesa e parë nuk prodhoi gola, teksa shkëndijën e parë e dhuroi Marcus Rashford në minutën e 12-të goditja e të cilit u ndal nga portieri Jose Sa. Nga ana tjetër, në të 27-tën, Wolverhampton u kundërpërgjigj me Cunhan, por që sulmuesi nuk mundi të gjente kuadratin e mbrojtur nga portieri Andre Onana. Në minutat shtesë të pjesës së parë, një mundësi e mirë u shfaq për Raphael Varane që mund të bënte më mirë pas një goditje me kokë.
Në fraksionin e dytë, “Ujqërit” u shfaqën më kërkues në fushë dhe patën një shans sërish me Cunhan, por edhe njëherë tjetër braziliani nuk u tregua i saktë.
Në të 72-tën, Pedro Neto u shfaq në zonën e “Djajve të Kuq” pas një kundërsulmi të iniciuar nga Cunha, por goditja e portugezit ishte shumë qëndrore dhe nuk shqetësoi Onanan që priti në pozicion.
Por, shpërdorimi i mundësive të paraqitura do t’i rëndonte tepër miqtë pasi nga ana tjetër, United nuk fali dhe kaloi në avantazh në minutën e 76-të. Ishte Varane ai që shënoi me kokë pas një asisti të Wan-Bissakas.
Në Old Trafford shpërtheu festa, ndërkohë që vendasit mbrojtën me fanatizëm avantazhin ndërsa edhe Onana bëri një punë të shkëlqyer në minutën e 83-të dhe të 84-të, kur ndali në dy tentativa radhazi Fabio Silvën.
Megjithatë, pavarësisht vuajtjeve, deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe të besuarit e trajnerit Erik ten Hag siguruan tre pikët e para të sezonit. Ndeshja e radhës për United është ajo e datës 19 gusht në transfertë ndaj Tottenham, ndërsa Wolverhampton pret në shtëpi Brighton. /SS/