Chelsea i “rrëmben” një tjetër objektiv Liverpoolit, “The Reds” humbasin garën për mesfushorin
Chelsea i “rrëmben” një tjetër futbollist Liverpoolit. Mesfushori i Southampton, Romeo Lavia, ka zgjedhur “Blutë e Londrës” në vend të “The Reds”, duke i dhënë fund javëve të tëra të mbushura me spekulime.
Londinezët nuk u ndalën vetëm me arritjen e marrëveshjes me Moises Caicedon pak ditë më parë dhe Romeo Lavia pritet t’i japë më shumë cilësi mesfushës që është rinovuar totalisht. Chelsea ka rënë dakord për një shumë prej 50 milionë paundësh plus bonuset me Southampton, një shifër që ka mjaftuar për të siguruar shërbimet e 19-vjecarit.
Chelsea hasi konkurrencën e madhe të Liverpool për firmën e belgut, por “The Reds” u dorëzuan në fund para zgjedhjes së mesfushorit.
Romeo Lavia ia kishte bërë të ditur prej kohësh dëshirën e largimit skuadrës së ‘Shenjtorëve’, ndërsa nuk mori pjesë as në dy ndeshjet e para të ekipit në Championship.
19-vjecari pritet t’i sjellë një element ekstra lojës së “Bluve të Londrës”, duke qenë se në pozicionin e shkatërruesit mund ta ndihmojë jashtëzakonisht shumë skuadrën.
Në sezonin e fundit në Premier League me Southampton, Romeo Lavia u aktivizua në 29 ndeshje, ku golin e vetëm e shënoi pikërisht ndaj Chelseat.