Liga e Parë me sponsor të ri, FFK dhe Banka Raiffeisen nënshkruajnë marrëveshjen e partneritetit
Sot, në një ceremoni të mbajtur në objektin e Bankës Raiffeisen, Federata e Futbollit e Kosovës dhe Banka Raiffeisen në Kosovë kanë nënshkruar marrëveshje partneriteti, përmes së cilës synohet forcimi i mëtejmë i zhvillimit të futbollit në Kosovë.
Në prani të zyrtarëve të FFK-së dhe të Bankës Raiffeisen, Agim Ademi, president i FFK-së dhe Anita Kovacic, drejtoreshë ekzekutive e Bankës Raiffeisen në Kosovë, kanë vendosur nënshkrimin e tyre në marrëveshjen e sponsorizimit për Ligën e Parë, e cila nga stinori pranveror do të emërtohet Raiffeisen Liga e Parë.
Të dyja palët pas nënshkrimit të marrëveshjes theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi për përparimin e futbollit kosovar, por edhe promovimin e bankës përmes futbollit.
Presidenti i FFK-së theksoi se për institucionin që ai drejton është kënaqësi rikthimi i një partneri serioz si Banka Raiffeisen, që edhe më parë e ka mbështetur futbollin.
“Është kënaqësi për ne që Banka Raiffeisen rikthehet në familjen e madhe të futbollit, ku për shumë vite ka dhënë kontribut të çmuar dhe atë në një periudhë të vështirë, kur ende nuk ishim pjesë e dy familjeve të mëdha të futbollit, UEFA e FIFA. Ky partneritet pa dyshim është një kapitull i ri për futbollin kosovar, ku bashkë me partnerët tanë, jemi të përkushtuar që të shkruajmë histori të suksesshme dhe frymëzuese. Përmes këtij bashkëpunimi, mundësojmë një ambient më të mirë për talentet e reja, një mundësi më të mirë për klubet e Ligës së Parë dhe i japim shtysë rritjes së mëtutjeshme të futbollit në vend. Besoj se partneriteti ynë do të jetë afatgjatë dhe nga ai do të përfitojnë të gjitha palët e përfshira”, tha Ademi.
Në anën tjetër, edhe Anita Kovacic, drejtoreshë ekzekutive e Bankës Raiffeisen në Kosovë, shprehu gëzimin për këtë partneritet:
“Futbolli zë një vend të posaçëm në zemrat e njerëzve në Kosovë, andaj jemi të kënaqur të kontribuojmë në zhvillimin e tij. Partneriteti i vazhdueshëm me Federatën e Futbollit të Kosovës pasqyron përkushtimin e bankës për të fuqizuar këtë sport dhe sportistët e talentuar të cilët janë frymëzim për të gjithë ne”, tha Kovacic.
Ky partneritet shënon një angazhim të fortë të FFK-së dhe Raiffeisen Bank për të promovuar futbollin dhe zhvillimin e tij, por njëherësh paraqet edhe vizionin e përbashkët për një të ardhme më të mirë sportive në Kosovë si dhe për të nxitur pasionin tek të rinjtë për futbollin.