Ceferin: City ka shkelur rregullat e “FFP”
Presidenti i UEFA-s ka thënë se përjashtimi i Manchester Cityt nga kupat e Evropës në shkurtin e 2020-ës dhe gjoba prej 25 milionë stërlinash ka qenë vendimi më i drejtë, të cilin mund të merrte qeveria e futbollit në kontinentin tonë.
Ceferin ka insistuar se “Qytetarët” kanë thyer rëndë rregullat e Financial Fair Play.
Siç dihet klubi i sheikëve nga Abu Dabi arriti që të rifitonte të drejtën për të qenë pjesë e Champions-it pasi i dha të drejtë Gjykata e Arbitrazhit shtatë muaj më pas.
Mes të tjerash Ceferin tregon se mirëkupton zemërimin mes tifozëve të skuadrave rivale të Cityt, të cilët shikojnë se një ekip nuk trajtohet si të gjithë të tjerët.
Manchester City është në një situatë të vështirë edhe në Angli pasi Premier Liga akuzon klubin në fjalë se ka shkelur plot 115 herë rregullat sa i përket financave. Premier Liga ka njoftuar se akuzat janë fryt i një investigimi të nisur në 2018-ën.
“Ne e dimë se kemi të drejtë. Nuk do të kishim marrë atë vendim nëse do të besonim të kundërtën”, tha Ceferin gjatë një interviste për “The Telegraph”.