Armando Broja, në finale e Kupës së Ligës
Armando Broja ka siguruar të martën vendin në Kupën e Ligës Angleze, duke e ndihmuar Chelsean e tij të korrte një fitore të thellë ndaj Midëllsboros, 6-1, në takimin e kthimit të gjysmëfinaleve dhe të përmbyste kështu humbjen minimale 0-1 të pësuar në takimin e parë në fushë të huaj.
Në fakt, ka qenë sulmuesi shqiptar ai që ka çelur rrugën e golit për skuadrën londineze, pasi përpjekja e tij për të goditur portën e boshatisur, është devijuar në rrjetë nga mbrojtësi Hauson në minutën e 16-të.
Pas një gjysmë ore lojë, Chelsea do të gjejë edhe golin e dytë, teksa do të jetë përpjekja për goditje e Brojës që do të devijohet në këmbët e Enzo Fernandesit, i cili do ta përcjellë topin në rrjetë.
Në minutën e 36-të do të vijë edhe goli i 3-të i skuadrës vendase, i shënuar nga Disasi, ndërsa 3 minuta para fundit të pjesës së parë, Kol Palmer do të gjejë edhe golin e 4-t, duke e mbyllur praktikisht që në atë çast çështjen e kualifikimit të Chelseas për në finale.
Me epërsinë e 4-fishtë të Chelsea do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën Broja do të dalë nga loja në minutën e 65-të, ndërsa vendasit do të gjejnë edhe dy gola të tjerë, përkundër një goli të vetëm të shënuar në fund nga miqtë dhe pret të njohë finalisten tjetër në duelin e 25 shkurtit 2024 në Stadiumin mitik “Wembly”.
Ajo do të dalë nga takimi i së mërkurës në mbrëmje, midis Fulhamit dhe Liverpoolit, teksa skuadra e trajnerit Jurgen Klop e ka fituar ndeshjen e parë 2-1 në shtëpi.