Benzema kthehet në çështje te Al-Ittihad, sulmuesi preferon rikthimin në Europë
Karim Benzema mbetet një çështje te Al-Ittihad. Pasi nuk u shfaq disa ditë në stërvitje, sulmuesi francez u rikthye në grup, ndërsa vlen të theksohet se marrëdhënia me klubin arab nuk është e mirë.
Benzema, duke u ndjerë nën “presion” te Al-Ittihad, kërkoi të largohej në një skuadër tjetër, me drejtuesit e klubit arab që i propozuan që të shkojë në huazim te një skuadër tjetër në ligën saudite.
Kjo hipotezë ra poshtë menjëherë nga lojtari, i cili do të donte të kthehej në kontinentin e vjetër. Mundësi e mirë mbetet rikthimi në Francë. Sipas asaj që shkruhet nga RMC Sport, Lyon, ish-skuadra e francezit, po punon për të firmosur me futbollistin.
Megjithatë, marrëveshja është shumë e komplikuar nga pikëpamja ekonomike, duke qenë se Benzema merr një pagë marramendëse në Arabinë Saudite, absolutisht e paarritshme për arkat e klubeve evropiane.
36-vjeçari, në 15 ndeshje të luajtura në kampionat, ka realizuar 9 gola dhe ka dhuruar 5 herë pasin e fundit.