Lautaro: Ishte e vështirë, Napoli pushoi më shumë! Kënaqësi që barazoj Vierin
Lautaro Martinez shënoi golin e fitorës për Interin në finalen e Superkupës së Italisë përballë Napolit (1-0).
Sulmuesi argjentinas u dhuroi zikaltërve trofeun e tretë radhazi.
26-vjeçari është ngjitur në kuotën e 123 golave me fanellën e Interit, duke barazuar një emër të madh si Bobo Vieri.
Lautaro nuk e fshehu gëzimin e tij, teksa pas ndeshjes u shpreh:
“Jam shumë i lumtur. U eliminuam nga Kupa e Italisë, teksa sot ishte një mundësi e madhe dhe një objektiv për t’u realizuar. Ishte e vështirë. Kishim një ditë më pak pushim se Napoli. Ne vuajtëm, por e rëndësishme është që e sollëm në shtëpi për të tretin vit radhazi këtë trofe.
GOLI I LAUTAROS
123 gola me Interin? Emocion i madh. Nuk doja ta hiqja fanellën, sepse nuk doja të ndëshkohesha, por ndjeva shumë emocione. Ka raste kur nuk mendon gjatë. Gjithsesi ishte një moment unik. Ndihem mirë që barazoj një futbollist të madh si Vieri”, u shpreh kapiteni i Interit.