Tri dhurata gati për Mourinhon, Roma “zjarr” në merkato
Jose Mourinho pret përforcime dhe drejtuesit e Romës janë afër finalizimit të goditjes së trefishtë. Dy mesfushorë dhe një sulmues janë afër arritjes së marrëveshjeve me klubin kryeqytetas italian.
Skuadrës së “Special One” pritet t’i bashkohen Renato Sanches dhe Leandro Paredes, të dy në pronësi të PSG-së.
Portugezi do të huazohet te Roma për një shumë rreth 2 mln euro, me verdhekuqtë që do të kenë të drejtën e blerjes së tij në fundin e sezonit për 8 mln euro të tjera.
Ndërkohë, argjentinasi Paredes do t’i kushtojë Romës rreth 5 mln euro. Me kampionin e botës që do të rikthehet në Trigoria pas gjashtë vitesh.
Sulmi? Emri më afër ofensivës së ekipit të Mourinhos është Duvan Zapata, i cili nuk bën më pjesë në planet e Atalantës.
Goleadori kolumbian kërkon stimuj të rinj pas shtatë sezoneve në Bergamo. Drejtuesit e Romës vijojnë bisedimet me homologët e Atalantës për gjetjen e gjuhës së përbashkët në lidhje me 32-vjeçarin.