Daja humbjen e arsyeton me mungesat në sulm
Trajneri Ilir Daja ka thënë se mungesat në fazën e sulmit dhe ngarkesa e madhe nga ndeshjet e pjesës së parë të kampionatit, kanë bërë që Ballkani të mos jetë në formën më të mirë.
“Sigurisht që nuk jemi në gjendjen më të mirë fizike shkaku i ngarkesave. Kemi pasur periudhë shkëputjeje sepse kishim nevojë për pushim, si në aspektin psikik ashtu edhe në atë fizik. Jemi në kulmin e ngarkesës. Në pjesën e parë, mesfushorët dhe mbrojtësit dorëzuan topa, diçka që nuk na ndodh zakonisht. Gripshi e Hamidi munguan për kohë të gjatë dhe nuk janë në formën më të mirë fizike. Na mungoi edhe Kryeziu dhe nuk kishim shumë zgjidhje në sulm. Por ne duhet të punojmë për ta kapur ritmin për kampionat”, deklaroi Daja për “ArtMotion” pas disfatës nga Prishtina në Superkupën e Kosovës në futboll.