
Redknapp befason me propozimin: Chelsea duhet ta transferojë Van Dijkun
Ish-futbollisti dhe analisti anglez Jamie Redknapp ka bërë një propozim të bujshëm për Chelsean, duke i sugjeruar klubit londinez të tentojë transferimin e kapitenit të Liverpoolit, Virgil van Dijk.
Mbrojtësi holandez, i cili tashmë është 35-vjeçar, ka kontratë me Liverpoolin deri në qershor të vitit 2027. Megjithatë, e ardhmja e tij në Anfield mbetet e paqartë, pasi ende nuk ka një marrëveshje të re për vazhdimin e bashkëpunimit.
Van Dijk së fundmi ka lënë të kuptohet se mund të largohet nga Liverpooli në fund të sezonit, nëse nuk arrihet marrëveshje për rinovimin e kontratës.
“Nëse kontrata vazhdohet, do ta shohim. Në të kundërtën, do të përshëndetem me klubin në verë”, kishte deklaruar kapiteni i Liverpoolit për Sky Sports.
Kjo situatë ka nxitur spekulimet për të ardhmen e tij, ndërsa Jamie Redknapp mendon se Chelsea duhet të përfitojë nga rasti dhe ta transferojë holandezin si lojtar të lirë.
“Unë mendoj se Chelsea duhet të tentojë ta transferojë Virgil van Dijkun gjatë verës. Nuk do të mund të përfitosh pesë vite prej tij, por besoj se ai ka ende dy vite në nivelin më të lartë. Do të ishte një përforcim i shkëlqyer”, deklaroi Redknapp për Sky Vegas.
Ai shtoi se Van Dijk mund të zgjedhë edhe një aventurë në MLS, por nuk e përjashtoi mundësinë që mbrojtësi të tundohet nga ideja e qëndrimit në Angli, konkretisht në Londër.
Holandezi ka fituar tetë trofe me Liverpoolin, përfshirë dy tituj të Premier League dhe një Ligë të Kampionëve, duke u shndërruar në njërin prej lojtarëve më të rëndësishëm të klubit gjatë dekadës së fundit.
Në rast se nuk rinovon kontratën, nga 1 janari 2027 Van Dijk do të ketë të drejtë të negociojë dhe të nënshkruajë paraprakisht me klube jashtë Anglisë, për t’u bashkuar me to si lojtar i lirë në verën e ardhshme.
Mbetet të shihet nëse Liverpooli do të arrijë ta bindë kapitenin të qëndrojë apo nëse vera e vitit 2027 do të shënojë fundin e një epoke për të në Anfield. /Rekordi.net

