
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut: Shtetet mund t’i kthejnë mbrapsht emigrantët në raste të “instrumentalizimit të migracionit”, por pa cenuar dinjitetin e tyre
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GjEDNj) vendosi të martën se shtetet anëtare të Këshillit të Evropës kanë të drejtë të kontrollojnë hyrjen e shtetasve të huaj dhe t’i kthejnë mbrapsht emigrantët edhe në rrethana “armiqësore” – kur migracioni përdoret si mjet presioni politik – me kushtin e prerë që të mbrohen të drejtat themelore dhe të mos rrezikohet keqtrajtimi i individëve.
Sipas vendimit të gjykatës më të lartë të të drejtave të njeriut në Evropë, të 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës (ku përfshihen të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe disa vende jo-anëtare) kanë detyrimin të respektojnë dhe garantojnë të drejtat e njeriut edhe në mjedise të vështira kufitare.
Kriza kufitare me Bjellorusinë dhe “instrumentalizimi i migracionit”
Çështja e shqyrtuar në Strasburg lidhet me ngërçin kufitar të viteve 2021–2022 mes Bjellorusisë dhe tre vendeve anëtare të BE-së: Polonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Në atë periudhë, Minsku u akuzua se kishte sajuar një krizë migracioni duke sjellë në territorin e tij shtetas nga vende të treta – kryesisht nga Afganistani, Iraku dhe Kuba – dhe duke i drejtuar ata drejt kufijve të jashtëm të BE-së për të ushtruar presion politik.
Duke i cilësuar veprimet e Bjellorusisë në vitin 2021 si një shembull të “instrumentalizimit të migracionit”, GjEDNj sqaroi se kthimi i emigrantëve në rrethana të tilla nuk përbën automatikisht shkelje të konventës.
“Në një kontekst të instrumentalizimit të migracionit, largimi i një shtetasi të huaj në shtetin instrumentalizues nuk do të përbënte, si i tillë, shkelje të Nenit 3 (ndalimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor dhe degradues)”, thuhet në njoftimin zyrtar të gjykatës.
Megjithatë, gjykata theksoi se shtetet kanë detyrimin e kujdesit për të identifikuar personat veçanërisht të cenueshëm që rrezikojnë keqtrajtimin. Në rastin konkret, emigrantët ankues deklaruan se ishin penguar me forcë të hynin në BE pa u shqyrtuar kërkesat e tyre për azil. Për këtë arsye, GjEDNj urdhëroi Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë të paguajnë dëmshpërblim financiar për mënyrën se si i kishin trajtuar emigrantët në kufijtë e jashtëm me Bjellorusinë.
Debati për “qendrën e kthimit” të pesë vendeve të BE-së në Ruandë
Vendimi i Strasburgut vjen në një moment kur politikat evropiane të azilit po ashpërsohen. Vetëm javën e kaluar, pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian njoftuan një plan të përbashkët me Ruandën për krijimin e një “qendre kthimi” në këtë vend afrikan, e cila parashikohet të strehojë azilkërkuesit e refuzuar në pritje të riatdhesimit në vendet e tyre të origjinës.
Kjo nismë ka ngjallur shqetësime dhe pikëpyetje të shumta nga organizatat e të drejtave të njeriut, për shkak të renditjes së ulët të Ruandës në treguesit ndërkombëtarë të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore, duke ngritur dyshime mbi garancitë reale të mbrojtjes së emigrantëve që do të dërgohen atje. /rtsh/

