
Kërcënoi bashkëshorten dhe plagosi axhën e saj me thikë, caktohet paraburgimi
Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj një personi, i dyshuar për dhunë në familje dhe lëndim të lehtë trupor.
Sipas komunikatës së gjykatës, i dyshuari, shtetas i Kosovës, dyshohet se më 21 nëntor 2026, rreth orës 02:00, në fshatin Lipovec të Gjakovës, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, viktima ishte larguar te familja e saj më 18 nëntor, pas mosmarrëveshjeve me bashkëshortin. Po atë ditë, ajo kishte pranuar një mesazh zanor nga i dyshuari, në të cilin ai e kishte kërcënuar me vrasje.
Në ditën kritike, i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë ku ndodhej bashkëshortja dhe, duke bërtitur, i kishte kërkuar të dilte dhe të hipte në veturë, me arsyetimin se dëshironte të bisedonte me të.
Po ashtu, ai dyshohet se ka sulmuar me thikë axhën e bashkëshortes së tij, i cili kishte dalë për të biseduar me të. Sipas gjykatës, i dyshuari e kishte goditur fillimisht në fytyrë dhe më pas në dorën e majtë, duke ia prerë gishtin e katërt dhe duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Lëndimet janë evidentuar në raportin mjekësor të Shërbimit Emergjent të Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë.
Gjykatësja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
Paraburgimi do të zgjasë nga 21 nëntori deri më 21 dhjetor 2026. Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

