
Sherifi pas vizitës së Jakup Krasniqit: Koha që kjo dramë të marrë fund, historia s’ka me na e falë kurrë
Bilall Sherifi, ka shkruar për vizitën e Jakup Krasniqit në Kosovë. Sherifi, ka thënë se Krasniqin e ‘’kanë mbajte padrejtësisht gjashtë vite larg familjes’’, e gjë e cila, për familjen e tij, ‘’ çdo mëngjes, çdo drekë e çdo darkë e këtyne gjashtë viteve ka pasë një vend të zbrazët në sofër’’,
Sherifi, ka thënë edhe se, tani është ‘’koha e fundit që kjo dramë të marrë fund’’, dhe se, ‘‘urgjentisht duhet ta zëvendësojmë togfjalëshin “DURIM, se bahet mirë” me togfjalëshin “VEPRIM, që ta bajmë mirë”’’.
Postimi i plotë:
Baca Jakup, çka më revolton ma së shumti është sa lehtë po mësohemi me të pa veç në fotografi. E shohim foton, prekemi, ndalemi pak e mandej e vazhdojmë jetën. E ty të kanë mbajtë padrejtësisht gjashtë vite larg familjes tande. Për njerëzit e tu, çdo mëngjes, çdo drekë e çdo darkë e këtyne gjashtë viteve ka pasë një vend të zbrazët në sofër.
Vendin tand.
Më vjen randë sa lehtë na del prej gojës fjala DURIM. Sa herë që ta shoh atë dorë të ngritun, më kujtohet sa gjatë kanë pritë njerëzit e tu me të pasë prapë ulun me ta në sofër. Ardhjen tande e kanë pritë me mall, por jo për arsyet që e banë të mundun. Kush ka me jua kthy ty e familjes tande ato gjashtë vite që duhej me i jetu bashkë?
Është koha e fundit që kjo dramë të marrë fund. Urgjentisht duhet ta zëvendësojmë togfjalëshin “DURIM, se bahet mirë” me togfjalëshin “VEPRIM, që ta bajmë mirë”. Përndryshe, ti, me atë zemër të madhe që e ke, mundesh edhe me na e falë, por historia s’ka me na e falë kurrë.
Me të drejtë!

