Nuk falin ekipet e kreut, fitojnë Boston e Minnesota, bindin Lakers
Skuadrat e kreut në konferencat përkatëse të NBA mbrojnë fort pozicionet e tyre pas fitoreve të fundit.
Boston ruan vendin e parë të renditjes në Konferencën e Lindjes pas fitores 118-97 ndaj San Antonio.
Ndeshje pa shumë histori për Celtics që komandoi ndeshjen nga fillimi deri në fund, ku u dallua Tatum, autor i 24 pikëve. Boston mbetet skuadra me më shumë fitore në NBA në gjysmën e parë të sezonit.
Zhgënjen ekipi i Milwaukee, që u mund 135-95 nga Cleveland, ndeshje dominuar nga vendasit, ku u dalluan Niang me 33 pikë e Mitchell me 31. Për Bucks u ndje shumë mungesa e Giannis Antetokounmpo.
Ndërsa në krye të renditjes në Konferencën e Perëndimit qëndron Minnesota, që mundi 124-117 jashtë fushe Detroit Pistons. Towns e Edwards realizuan nga 27 pikë secili për Minnesota, ndërsa 32 pikët e Ivey mbetën për statistikë.
Po në Perëndim, vjen fitorja e dytë radhazi për Los Angeles Lakers, që mundi 127-110 Dallas Mavericks. Tre lojtarë të Lakers realizuan 82 pikë, Russell 29, Davis 28 dhe James 25 pikë, duke i bërë të pavlefshme 33 pikët e Doncic për teksanët. /BW/