Xavi: Nëse unë jam problemi, largohem menjëherë
Pas humbjes së rëndë në finale të Superkupës së Spanjës nga Real Madridi, Barcelona do ta kërkojë ngushëllimin në Copa del Rey.
Gjiganti katalunas do të përballet me ekipin Unionistas, në një ndeshje e cila nuk pritet të sjellë ndonjë befasi.
Sidoqoftë, Xavi Hernandez e ka ende mendjen tek humbja e thellë nga rivali i përbetuar.
Në ditët e fundit u spekulua për një largim të mundshëm të trajnerit spanjoll, por ai s’e ka ndërmend të japë dorëheqje pasi nuk mendon se është fajtori i kësaj gjendjeje të ekipit.
“Kam biseduar me presidentin (Laporta) në aeroplan. U shfaq optimist, ka besim në staf dhe në lojtarë. Jemi në mes të sezonit”, deklaroi fillimisht legjenda katalunase.
“Në ditën kur lojtarët nuk do të jenë me mua, do t’i marr gjërat e mia dhe do të kthehem në shtëpi. Jemi të lënduar, është e vërtetë. Duhet të nisim nga zeroja, por lojtarët besojnë në ato që po i bëjmë. Duhet të bëjmë si në sezonin e kaluar”, vazhdoi ai.
“Unë jam ende trajner sepse objektivat janë arritur. Kanë ardhur të më marrin në Katar dhe më kanë thënë se objektiv ishte vendi i katërt dhe ne arritëm në të dytin. Në vitin e kaluar më thanë se duhet ta fitojmë kampionatin dhe e fituam. E fituam edhe Superkupën, prandaj kemi bërë mirë. Këtë vit objektiv ishte titulli dhe kualifikimi në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve. Mund t’ia dalim ende. Kam kërkuar falje për humbjen, por jemi më afër suksesit sesa falimentimit. Ky është realiteti”, përfundoi Xavi.