Shansi i Asllanit, Inzaghi i beson “çelësat” e mesfushës, provë e “zjarrtë” ndaj Fiorentinës
Ky është një sezon ndryshe për Asllanin. Paraqitjet fantastike me ekipin përfaqësues patën një ndikim të madh edhe tek Inter, pasi mesfushori fitoi më shumë besim, rrjedhimisht edhe trajneri Inzaghi i besoi më shumë minuta.
Sigurisht vetëm kaq nuk mjafton, drejtuesit e klubit zikaltër presin më shumë nga mesfushori shqiptar, gjithashtu edhe vetë Asllani pret më shumë nga klubi.
Ndaj Monza-s, Asllani u aktivizua në minutën e 62-të duke marrë vendin e Calhanoglu, ndërsa në sfidën e radhës në Serie A, atë kundër Fiorentinës, pritet ta nis nga minuta e parë.
Regjisori turk ka plotësuar numrin e kartonëve, nuk do të jetë në fushë, ndërsa sipas mediave italiane vendin e tij do ta marrë Asllani.
Kjo është një tjetër provë e fortë për Asllanin për të vërtetuar se është gati për të marrë çelësat e mesfushës. /BW/