
Kos: Shqipëria përparim në zbatimin e reformave kyçe, të vazhdojë puna për mbylljen e negociatave në 2027
Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian zhvilloi sot një mbledhje të jashtëzakonshme, ku komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, prezantoi Paketën e Zgjerimit të Bashkimit Evropian për vitin 2026.
Komisioni Evropian miratoi sot Paketën vjetore të Zgjerimit, e cila vlerëson përparimin e bërë gjatë vitit të kaluar nga vendet partnere që synojnë anëtarësimin në BE dhe përcakton prioritetet e reformave për periudhën e ardhshme.
Zgjerimi është një nga politikat më të rëndësishme të BE-së, që garanton paqen, stabilitetin dhe mirëqenien në të gjithë kontinentin. E mbështetur fort në parimin e meritave, një politikë e besueshme zgjerimi po kthehet gjithnjë e më shumë në një investim për sigurinë e përbashkët të Evropës.
Paketa e këtij viti tregon se përpjekjet e vazhdueshme për reforma sjellin përparim konkret drejt anëtarësimit në BE, siç dëshmohet nga Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina.
Të katër vendet kanë avancuar në negociatat e anëtarësimit, duke hapur grupkapituj negociues dhe duke mbyllur përkohësisht kapituj me një ritëm të paprecedentë.
“Përmbushja nga Shqipëria e reformave të kërkuara nga BE-ja është një tregues i angazhimit të saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Është shënuar përparim në zbatimin e reformave kryesore”, tha Kos.
“Këtë vit, u arrit një moment i rëndësishëm me përmbushjen e kritereve të ndërmjetme në fushat themelore. Që atëherë, Shqipëria ka mbyllur përkohësisht katër kapituj dhe po punon për të përmbushur kriteret për mbylljen e kapitujve të tjerë”, shtoi ajo.
“Në të njëjtën kohë, nevojitet vijimi i përqendrimit dhe përparimit në fusha kyçe. Kjo është e rëndësishme që Shqipëria të përmbushë objektivin e saj ambicioz, por të arritshëm, për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027”, tha komisionerja për Zgjerimin, Kos.
“Në themel të çdo përpjekjeje për reforma duhet të jenë shteti i së drejtës, një gjyqësor i pavarur, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore. Përparimi në çështjet mjedisore duhet të jetë gjithashtu një përparësi”, shtoi ajo.
“Kjo ka rëndësi jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për shoqërinë shqiptare dhe jetën e përditshme të qytetarëve të saj. Përfshirja kuptimplotë e të gjithë shoqërisë është thelbësore për të garantuar një proces të qëndrueshëm legjislativ”, tha Kos. /atsh/

