Macron uron presidenten Shiroka Pula, kërkon zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë

Macron uron presidenten Shiroka Pula, kërkon zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pranuar një letër urimi nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, me rastin e marrjes së detyrës së re.

Në mesazhin e tij, Macron i ka shprehur urimet për përgjegjësinë e re, duke shfaqur besimin se udhëheqja e saj do të ndihmojë në rifillimin e progresit në fusha të rëndësishme për rrugëtimin evropian të Kosovës.

Kreu i shtetit francez ka rikujtuar marrëdhëniet tradicionale ndërmjet Kosovës dhe Francës, duke përmendur edhe takimin me kryeministrin Albin Kurti, të zhvilluar në Paris në muajin mars të këtij viti.

Ai ka vlerësuar gjithashtu vizitën në Kosovë të ministrit të deleguar francez për Evropën, gjatë korrikut, e cila u shoqërua me nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Një pjesë të rëndësishme të letrës, Macron ia ka kushtuar procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai ka rikonfirmuar përkrahjen e Francës për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se përparimi në këtë proces është i rëndësishëm për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të rajonit.

“Dëshiroj të rikujtoj rëndësinë thelbësore të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit kanë përcaktuar drejtimin, ndërsa Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Të dyja palëve u takon të zbatojnë zotimet e marra”, ka theksuar Macron në letrën drejtuar presidentes Shiroka Pula.

Share This