
Costa: E ardhmja e Ballkanit është në BE, Kosova mund të përshpejtojë reformat
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian, duke theksuar se Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina kanë ende mundësi të shënojnë përparim dhe të përshpejtojnë reformat e nevojshme drejt anëtarësimit në BE.
Në një deklaratë në kuadër të Samitit të Zgjerimit të BE-së 2026, të organizuar nga Euronews, Costa ka vlerësuar se procesi i zgjerimit është një nga investimet më të rëndësishme gjeopolitike të Evropës për paqen, sigurinë, demokracinë, stabilitetin dhe prosperitetin, raporton Klankosova.tv.
Sipas tij, zgjerimi ka ndihmuar në tejkalimin e ndarjeve historike dhe, në rrethanat e sotme ndërkombëtare, mbetet i rëndësishëm për forcimin e Evropës si aktor gjeopolitik, fuqi ekonomike dhe faktor paqeje.
Costa ka theksuar se procesi i integrimit nuk ka të bëjë vetëm me forcimin e Bashkimit Evropian, por edhe me përmbushjen e aspiratave të miliona qytetarëve evropianë që kanë zgjedhur demokracinë, lirinë dhe bashkëpunimin.
Ai ka nënvizuar se procesi i anëtarësimit duhet të jetë i drejtë, i qëndrueshëm dhe i bazuar në merita, ndërsa BE-ja duhet të përgatitet për pranimin e anëtarëve të rinj.
Duke folur për Ballkanin Perëndimor, presidenti i Këshillit Evropian ka bërë të ditur se me liderët e rajonit do të diskutojë për këto çështje edhe në Samitin e katërt BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet pas tri javësh, gjatë mandatit të tij.
Ai ka përmendur gjithashtu Planin e Rritjes dhe iniciativat e tjera evropiane, të cilat, sipas tij, po ndihmojnë në rritjen e investimeve, përafrimin ekonomik dhe integrimin më të afërt të vendeve të rajonit në Tregun e Përbashkët Evropian.
Si shembuj të përparimit, Costa ka përmendur pjesëmarrjen në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), përmirësimet në pikat kufitare, forcimin e lidhjeve të transportit, nismat digjitale dhe uljen e kostove të shërbimeve të roamingut.
Ndër të tjera, ai ka rikujtuar se gjatë tetorit, Bashkimi Evropian ka mbajtur konferenca ndërqeveritare për anëtarësim me Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë.
Sipas tij, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mbyllur përkohësisht kapituj të tjerë të negociatave, ndërsa Ukraina dhe Moldavia kanë hapur negociata për grupkapituj të rinj.

