“Roma, emocion i madh, por duhet punë”
Pak orë pasi shkarkoi të martë nga detyra e trajnerit Jose Mourinho, skuadra e Romës ka gjetur zëvendësuesin e portugezit.
Bëhet fjalë për legjendën e klubit, ish-mesfushorin Daniele De Rosi. 40-vjeçari tashmë është zyrtarizuar te Roma dhe do të jetë në krye të ekipit deri në fund të këtij edicioni.
Në njoftimin e Romës thuhet se ish-futbollisti ka firmosur një kontratë deri më 30 qershor të këtij viti. Ish-kapiteni i verdhkuqve u prezantua të martën nga klubi dhe, gjatë konferencës për shtyp, ai u shpreh i lumtur për besimin e dhënë.
“Do të doja të falënderoja familjen Friedkin që më besoi përgjegjësinë e drejtimit teknik të skuadrës së Romës. Nuk njoh rrugë tjetër veç asaj që përshkohet me sakrificë të përditshme dhe me nevojë për të dhënë gjithçka që kam brenda për të përballuar sfidat që na presin deri në fund të sezonit”.
Ndër të tjera, De Rosi tha se do të japë gjithçka nga vetja për përballur sfidat deri në fund.
“Emocioni i të qenit në stolin tonë është i papërshkrueshëm, të gjithë e dinë se çfarë është Roma për mua. Të gjithëve na pret një punë e madhe, nuk kemi kohë, nuk kemi zgjidhje. Duhet të jemi konkurrues, të luftojmë për qëllimet tona dhe të përpiqemi për t’i arritur ato, sepse janë të vetmet prioritete që stafi im dhe unë i kemi dhënë vetes”.
Për 18 vjet, Daniele De Rosi ka luajtur për Romën dhe në rolin e trajnerit do të debutojë të shtunën në ndeshjen ndaj Veronës në kuadër të Serisë A.