Befason Tuchel: Te Chelsea ndihesha më i vlerësuar se këtu te Bayern
Trajneri i Bayern Munichut, Thomas Tuchel pranon se ai “ndihej më i vlerësuar” te Chelsea sepse është “shumë e vështirë t’i shpëtosh” kritikave në Gjermani.
Në një lëvizje të bujshme, Chelsea shkarkoi Tuchel në shtator 2022, duke e zëvendësuar atë me Graham Potter, një vendim i marrë nga pronarët e rinj të klubit Todd Boehly dhe Behdad Eghbali.
Pavarësisht se kaloi vetëm 19 muaj si trajner i Chelseat, Tuchel la një trashëgimi mbresëlënëse pas.
Nën drejtimin e tij, Chelsea arriti të fitonte Champions League, Botërorin për Klube dhe Superkupën e Europës.
Për më tepër, skuadra arriti në dy finale të FA Cup dhe përfundoi si nënkampione në Carabao Cup.
Pavarësisht se fitoi Bundesligan sezonin e kaluar, Tuchel ka qenë nën kritika nga një pjesë e tifozëve të Bayernit pasi bavarezët aktualisht e gjejnë veten në vendin e dytë pas Bayer Leverkusen.
Kur u pyet në një intervistë për ESPN nëse ndihej më i vlerësuar në Angli sesa në Gjermani, Tuchel tha: “Po. Pyetje mjaft e thjeshtë. Ndjej se jemi shumë kritikë ndaj njëri-tjetrit në Gjermani, veçanërisht me lojtarët dhe trajnerët. Është shumë e vështirë të shpëtosh. U ndjeva më i vlerësuar në Angli, po”.
Tuchel në fund do të gjykohet nga performanca e Bayernit në Champions League. Gjermanët mbetën të pamposhtur në fazën e grupeve të kompeticionit dhe u kualifikuan në raundin e 1/8-ave si kryesues nga Grupi A, raporton telesporti.
Ata do të përballen me Lazion në raundin tjetër në shkurt, por para kësaj, kampionët në fuqi të Gjermanisë kanë pesë ndeshje në Bundesligë për të luajtur, duke filluar me një përballje kundër Werder Bremen të dielën.