Derbi kuqezi i takon Milanit, shkëlqen Moreira

Derbi kuqezi i takon Milanit, shkëlqen Moreira

Milani ka fituar derbin e madh të qytetit ndaj Interit, me rezultat 3-1, në kuadër të Serie A, duke vazhduar serinë pozitive në përballjet direkte me rivalin e përbetuar.

Skuadra e Milanit regjistroi ndeshjen e tetë radhazi pa humbje në “Derby della Madonnina”, ndërsa protagonist kryesor ishte Diego Moreira, i cili shkëlqeu me një paraqitje fantastike në pjesën e parë.

Milani e nisi furishëm takimin dhe kaloi në epërsi që në minutën e katërt. Moreira krijoi hapësirën e nevojshme dhe dërgoi një krosim të saktë në zonë, ku Christian Pulisic u gjend në vendin e duhur për të shënuar me kokë.

Vetëm gjashtë minuta më vonë, kuqezinjtë e dyfishuan epërsinë. Adrien Rabiot, i rikthyer në formacion, shfrytëzoi një harkim të ulët nga këndi të Moreiras dhe me një goditje elegante dërgoi topin në rrjetë, pasi ai u përplas fillimisht në shtyllë.

Interi reagoi dhe arriti ta ngushtonte epërsinë në minutën e 22-të. Pas një goditjeje nga këndi të Hakan Calhanoglut dhe devijimit të Manuel Akanjit, Alessandro Bastoni e dërgoi topin në rrjetë.

Zikaltrit vazhduan të kërkonin golin e barazimit, por portieri Mike Maignan ishte në nivel të lartë, duke ndalur disa tentativa të rrezikshme.

Kur Interi po shpresonte ta mbyllte pjesën e parë me vetëm një gol disavantazh, Moreira doli sërish në skenë. Këtë herë, ai realizoi një gol të bukur nga goditja e lirë, duke e rikthyer epërsinë prej dy golash për Milanin.

Në pjesën e dytë, Interi u përpoq të rikthehej në lojë, por nuk arriti të konkretizonte rastet e krijuara. Një nga mundësitë më të mira erdhi përmes Nicolo Barellas, por tentativa e tij u ndal nga mbrojtja e Milanit.

Zikaltrit kërkuan edhe një penallti pas një topi të prekur në zonë, por pas rishikimit me VAR, u konstatua se topi kishte goditur trupin e Mario Gilas dhe jo dorën e tij.

Milani arriti ta ruante epërsinë deri në fund, duke marrë një fitore të rëndësishme në derbin e qytetit.

Me këtë rezultat, Milani i afrohet në katër pikë Interit, që pësoi humbjen e parë në kampionat këtë sezon. Interi mbetet përkohësisht në krye të tabelës, në kuotë të barabartë pikësh, ndërsa Lazio ka mundësinë të shkëputet me tri pikë nëse fiton ndaj Cagliarit të dielën. /Rekordi.net

Share This