Mourinho… Tirana do të mbetet përgjithmonë
“Faleminderit, Tirana do të mbetet përgjithmonë, Mister…”
Këto fjalë të tifozëve të Romës, të thëna të martën teksa Jose Mourinho po largohej nga kompleksi “Trigoria” i klubit të kryeqytetit të Italisë, duke mbyllur kështu një aventurë 30-mujore, janë dëshmi e asaj që e lidh trajnerin e njohur portugez me një nga triumfet historike për të dhe për verdhekuqtë, që u arrit pikërisht në kryeqytetin shqiptar.
Në mbrëmjen e 25 majit të 2022-shit, Murinjo e udhëhoqi skuadrën e tij drejt një triumfi minimal, por të mjaftueshëm ndaj holandezëve të Feynordit, duke i dhënë Romës trofeun e parë kontinental pas plot 61 vjetësh, që ishte edhe edicioni i parë i veprimtarisë më të re të klubeve të Evropës, Ligës së Konferencës, finalja e të cilit u mbajt pikërisht në Tiranë, në Stadiumin “Arena Kombëtare”.
Ai e çoi sërish Romën në finalen e dytë të Ligës Konferencës në 2023-shin në Budapest, por pa e gjetur dot triumfin si në Tiranë, duke u mundur përballë Sevilles. Ndërkaq, 15 muaj më pas, ai është rikthyer sërish në arenën e triumfit të tij historik, në kryeqytetin shqiptar, që për më tepër e kishte bërë atë të parin trajner që i fitonte të 3 trofetë kontinentale të futbollit të klubeve, Ligën e Kampioneve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.
Në fakt, Ishte cilësuar që në krye të herës si një eveniment i veçantë për një “Special One”. Miqësorja e Partizanit me Romën, që u luajt të shtunën dhe u fitua nga skuadra italiane me rezultatin 2-1, ishte e veçantë për shumë arsye. E veçantë sepse riktheu në Tiranë Jose Mourinhon, i njohur ndryshe me nofkën “Speciali” (“The Special One”), i cili nuk e fshehu se Tirana ka një vend të veçantë në zemrën e tij. Trajneri i njohur botëror, i cili ka folur ekskluzivisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar sapo ka vënë këmbën në Rinas, ka pohuar se Shqipëria dhe kryeqyteti i saj e kanë skalitur emrin e tyre në kujtesën historike të klubit të Romës, por edhe në atë personale të Murinjos, i cili, për më tepër, rikthehet të takojë një mik të vjetër.
Më pas, radhën e ka patur ajo që padyshim ishte qershia mbi tortë, ndeshja, e cila ka ardhur për shikuesit e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar në cilësinë më të lartë të zërit dhe figurës, por edhe me një paraqitje të re dhe të freskët grafike, të njëjtë me standardet më të larta ndërkombëtare, teksa RTSH prodhoi sinjalin për transmetim edhe për llogari të rrjetit prestigjioz ndërkombëtar, Sky Sport Italia dhe Sky Sport International.
Natyrisht, gjërat më pas nuk rrodhën ashtu siç do të kishte portugezi dhe padyshim që ai do të ketë së shpejti një adresë të re, por, sikundër e theksuar edhe tifozët, Tirana do të mbetet përgjithmonë në historinë e tij dhe atë të Romës.