Mascherano “fton” Di Marian dhe Messin në Paris: Nëse kanë dëshirë…
Javier Mascherano, trajner i Argjentinës U-23, shprehu dëshirën për të grumbulluar Ángel Di Marían në Lojërat Olimpike të këtij viti, në Paris.
Trajneri përmendi edhe emrin e Messit si një tjetër lojtar për t’u marrë parasysh.
“Lojtarë si Messi dhe Di María fituan mundësinë për t’u zgjedhur nëse duan të luajnë në Lojërat Olimpike. Për “Fideon” (Di Maria) do të ishte një mënyrë e mirë për të thënë lamtumirë”, tha ish-lojtari i Barcelonës në një intervistë për “D Sports Radio”.
Di María, aktualisht te Benfica, i cili e përfundon kontratën me “Shqiponjat” këtë sezon, e ka përmendur tashmë disa herë se do të përfundojë karrierën e tij me kombëtaren në “Copa América”, që do të zhvillohet mes 20 qershorit dhe 14 korrikut.
Në Lojërat Olimpike janë tri vende të rezervuara për lojtarët mbi 23 vjeç. Turneu i futbollit për meshkuj është planifikuar nga 24 korriku deri më 10 gusht.
Javier Mascherano shprehu gjithashtu dëshirën e tij që të ketë Lionel Scalonin për të drejtuar lojtarët U-23 në Lojërat Olimpike nëse kjo është edhe dëshira e trajnerit kryesor të Argjentinës.
“Nëse gjithçka shkon mirë në fazën paraolimpike, shpresoj se Scaloni mund ta udhëheqë ekipin në Lojërat Olimpike të Parisit.”
Javier Mascherano ka përjashtuar, për momentin, marrjen e drejtimit të ekipit të parë të Argjentinës.
“Qëllimi im është të menaxhoj ekipin U-23 dhe ekipin tjetër U-20. Nuk kam ndërmend të drejtoj ekipin kryesor. Nuk jam i duhuri”, përfundoi ai.