Granit Xhaka më i mirë i Zvicrës për vitin 2023
Mesfushori kosovar, Granit Xhaka, është shpallur futbollisti më i mirë zviceran për vitin 2023 në një ceremoni që u mbajt sot (e hënë) në qytetin e Bernit.
Për të fituar këtë çmim Xhaka mposhti konkurrencën e Manuel Akanjit që pati gjithashtu një sezon fantastik me Manchester Cityn dhe Zeki Amdounit.
Kjo ishte hera e tretë që Xhaka u shpall futbollisti më i mirë i Zvicrës, teksa për herë të parë këtë çmim e kishte fituar në vitin 2017.
Xhaka si kapiten i përfaqësueses së Zvicrës i udhëhoqi ata drejt kualifikimit në Euro 2024 që do të mbahet në Gjermani gjatë verës.
Pas marrjes së çmimit Xhaka falenderoi fillimisht gruan e tij, duke thënë se pa përkrahjen e saj do të ishte e pamundur si dhe më pas pati disa fjalë edhe për bashkëlojtarët e tij.
“Pa përkrahjen e gruas sime, që më përkrah shumë, do të ishte e pamundur. Ky është një shpërblim për punën që ne e bëjmë çdo ditë. Jam shumë i lumtur që e kam fituar sërish. Jam fitues sonte dhe do të punoj që të jem sërish këtu pas një viti”, ka thënë Xhaka me të pranuar çmimin.
Ndonëse nuk ishte i pranishëm në ceremoni, Manuel Akanji shfrytëzoi rastin që përmes një videomesazhi ta urojë Xhakën për çmimin e fituar.
“Ti e ke merituar çmimin”, ishin fjalët e mbrojtësit të Cityt në drejtim të Xhakës.