Kurti: 515 rekrutë të rinj i bashkohen FSK-së për mbrojtjen e atdheut

Kurti: 515 rekrutë të rinj i bashkohen FSK-së për mbrojtjen e atdheut

Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, është mbajtur ceremonia e diplomimit të rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se sot po betohen 515 ushtarë të rinj të FSK-së, që shënon edhe gjeneratën më të madhe që ka pasur ndonjëherë.

“515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut. 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit. 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes. Të dashur ushtarë, rrugëtimin tuaj sot e filloni duke e ditur thellë në qenien tuaj që liria jonë është rezultat i përpjekjeve të shumë brezave, i atyre që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për vendin tonë”, ka theksuar ai.

Tutje Kurti tha se “UÇK-ja ishte dhe mbetet simbol i vendosmërisë së popullit tonë për të mos u nënshtruar, për të mos u pajtuar me robërinë. Flijimi i dëshmorëve e martirëve të kombit na obligon që ta ruajmë të vërtetën historike, ta nderojmë luftën e drejtë çlirimtare e të krenohemi me të kudo që jemi e ngado që shkojmë”.

“Nga malet e Drenicës, te Kullat e Dukagjinit, nga Drini i Bardhë te Ibri e Sitnica, nga Llapi e Gollaku te Anamorava e Karadaku, çdo krahinë e rajon, qytet e fshat, kodër e luginë, ruan kujtime të rezistencës dhe kryengritjes, të përpjekjeve për liri dhe të dashurisë për atdheun”, u shpreh Kurti mes tjerash.

Ai tha më tej se në këtë tokë, “liria është histori familjesh, sakrificë brezash dhe përgjegjësi që trashëgohet”.

“Ushtria është një nga shtyllat kryesore të shtetit. Zhvillimi i saj është obligim yni për të ndërtuar institucione, me mundësi dhe aftësi për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të mbrojtur sovranitetin e shtetit dhe integritetin territorial të Republikës, në përputhje me mandatin e saj kushtetues dhe ligjor”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Ai u zotua për investime mbi 1 miliard euro në ushtri. /rtk/

Share This