
Kurti ‘‘zotohet’’ për investime mbi 1 miliard euro në ushtri gjatë këtij mandati: Prioritet i qeverisë sonë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria synon të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri gjatë këtij mandati, duke theksuar se zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet prioritet.
Këto deklarata Kurti i bëri në ceremoninë e betimit të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerata 02/2026, ku u betuan 515 ushtarë të rinj, të cilët kryeministri i cilësoi si gjeneratën më të madhe që ka pasur ndonjëherë vendi.
“Sot, këtu në kazermën ‘Adem Jashari’, në një vend ku emri i kryekomandantit simbolizon qëndresën shqiptare dhe sakrificën për liri, jemi mbledhur për të shënuar një ditë të veçantë për ju, për familjet tuaja dhe për Republikën e Kosovës. Sot po betohen 515 ushtarë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, njëherazi gjenerata më e madhe që kemi pasur ndonjëherë. 515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut, 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit, 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes.Të dashur ushtarë, betimin tuaj sot e filloni duke e ditur thellë në qenien tuaj që liria jonë është rezultat i përpjekjeve të shumë brezave, i atyre që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për vendin tonë. Betimi juaj ishte dhe mbetet simbol i vendosmërisë së popullit tonë për të mos u nënshtruar, për të mos u pajtuar me robërinë”, ka thënë ai.
Kurti, ka deklaruar se flijimi i dëhsmorëve dhe martirëve të kombit i obligon që ta ruajnë të vërtetën historike.
“Flijimi i dëshmorëve dhe martirëve të kombit na obligon që ta ruajmë të vërtetën historike, ta nderojmë luftën e drejtë çlirimtare dhe të krenohemi me të kudo që jemi e ngado që shkojmë. Nga malet e Drenicës, te kullat e Dukagjinit, nga Drini i Bardhë te Ibri e Sitnica, nga Llapi e Gollaku te Anamorava e Karadaku, nga lartësitë e Sharrit te minierat e Trepçës e te majat e bjeshkëve të Rugovës, çdo krahinë e rajon, qytet e fshat, kodër e luginë ruajnë kujtimet e rezistencës dhe kryengritjes, të përpjekjeve për liri e dashuri për atdheun. Në këtë tokë, liria është histori familjesh, sakrificë brezash dhe përgjegjësi që trashëgohet.Të nderuar të pranishëm, Ushtria është një nga shtyllat kryesore të shtetit. Zhvillimi i saj është obligim i yni për të ndërtuar institucione me mundësi dhe aftësi, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të mbrojtur sovranitetin e shtetit dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës në përputhje me mandatin e saj kushtetues dhe ligjor. Për këtë arsye, rritja e forcimi i ushtrisë ka qenë dhe mbetet një prioritet i qeverisë sonë”, ka thënë ndër të tjera ai.
“Gjatë mandatit të kaluar, u trefishua buxheti i ushtrisë. Në këtë mandat, zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri. Kemi rekrutuar 3,220 ushtarë të rinj, duke zgjeruar radhët e forcës sonë dhe duke arritur më shumë se dyfishimin e saj në numër. Përveç kësaj, kemi edhe një gjeneratë tjetër që do të fillojë këtë vit trajnimin, dhe së bashku me ta, ne po i mbërrijmë kapacitetet ushtarake që ishin paraparë të arriheshin në vitin 2028. Pra, kemi përshpejtuar për dy vjet realizimin e objektivave tona strategjike.
Kemi realizuar blerje të armatimit me vlerë mbi 430 milionë euro. Mbështetjen ajrore e kemi me dronët Bayraktar dhe Skyguard, ndërsa nga toka kemi mbi 40 lloje të armatimit të rëndë e të lehtë, modern e sipas standardeve të NATO-s. Ushtria jonë është duke u kompletuar çdo ditë e më shumë, e për këtë ne jemi shumë të vendosur. Synimi ynë është i qartë: t’i dalim zot atdheut e ushtria jonë të bëhet pjesë e NATO-s.
Në misionet ndërkombëtare që kemi realizuar dhe po i realizojmë, me pjesëmarrje në Defender 21, 23 e 25, ushtria jonë sot është kontribuese e paqes dhe sigurisë në botë. Gjithashtu kemi avancuar në industrinë e mbrojtjes; deri në fund të këtij viti do të fillojmë edhe prodhimin e municionit në fabrikën që po e ngrisim në Gjakovë, 100% vendore, dhe po e përkrahim sektorin privat që duan të prodhojnë produkte ushtarake”, tha Kurti. /GE/

