
Pse po hesht Uran Ismaili për Ligjin që u kthye në Kuvend dhe “lojën politike” të tij?
Po bëhen gati 24 orë nga vendimi që mori Presidentja, duke e kthyer Ligjin për Specialen në Kuvend, me kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës, shkruan Periskopi.
Ky vendim ngjalli reagime të shumta, si brenda PDK-së e deri te ata që dolën në rrugë për ditë e netë të tëra që Ligji për Specialen të votohet.
Në Partinë Demokratike të Kosovës u bën pikë e pesë, menjëherë pas publikimit të kërkesës që partia i kishte bërë presidentes Justina Shiroka-Pula.
Dikush akuzoi Uran Ismailin për lojë politike, e dikush tjetër kërkonte llogari nga Përparim Gruda, si njëri prej hartuesëve kryesorë të Ligjit për Specialen.
Ky i fundit doli menjëherë me reagim duke thënë se ligji nuk përmban asnjë gabim dhe se është krenar për punën e bërë bashkë me ekipin që ka marrë pjesë në hartimin e tij.
“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet”, ka shkruar Gruda.
Ai ka theksuar se do të vazhdojë ta mbështesë ligjin, duke nënvizuar se është i vetëdijshëm për punën dhe përgjegjësinë që ka kërkuar hartimi i tij.
“Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij”, ka deklaruar deputeti i PDK-së.
Në anën tjetër, Uran Ismaili deri në këto momente ka mbetur i heshtur edhe për kërkesën për rishyrtim të Ligjit në Kuvend edhe për “akuzat” se kjo që ndodhi dje është një përplasje politike e tij ndaj Përparim Grudës.
Periskopi ka kontaktuar Uran Ismailin për të marr edhe një qëndrim nga ana e tij, por ai nuk iu përgjigj interesimit të portalit.
Ndërkohë, Përparim Gruda mori mbështetje nga disa prej figurave të PDK.
Ud. e kryetares së PDK, Vlora Çitaku ia bëri “like” reagimin Grudës, ku sqaronte se nuk ka kurrfarë gabimi në Ligj.

Mbështetje mori edhe nga ish-këshilltari i Thaçit, Adil Behramaj.
“Përparim Gruda, po më vjen keq që për arsyen se ne i dimë, po duhet t’i tolerojmë intrigat dhe konspiracionet që po ‘ziejnë’ rreth ligjit. Je vendosur padrejtësisht në këtë pozitë dhe të ka rënë hise të durosh lloj-lloj pallavrash. Por, mbaje kokën lart dhe ndjehu krenar!
Edhe bëhu gati për garë!”, shkroi Behramaj.
Ndërsa deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu reagoi ashpër, duke kërkuar dorëheqjen e kryesisë së partisë.
“Krejt kryesia e PDK-së duhet të japë dorëheqje sonte, deri në orën 24:00.
Me UÇK-në, me fatin e krerëve të UÇK-së dhe me të ardhmen e Kosovës nuk mund të luhet për interesa politike, këtu nuk e tolerojmë askënd”, shkroi mes tjerash Haxhiu.
Në anën tjetër, organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka deklaruar se partive politike u është dhënë një muaj afat për rishqyrtimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvendin e Kosovës.
Haziri tha se pret reflektim nga të gjitha partitë politike, në mënyrë që procesi të përmbyllet në mënyrë dinjitoze.
“Ky ligj ka afat një muaj që të përfundojë si proces në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne do të presim të reflektojnë të gjithë bashkë dhe ta përfundojmë dinjitetshëm këtë betejë që e kemi me Gjykatën Speciale, që të përfundojë ky tregim dhe përplasjet politike”, deklaroi Haziri.

