
Hoti diskuton të drejtat e punëtorëve me sindikatat dhe punëdhënësit
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka mbajtur takimin e parë të “Tryezës me partnerët socialë”, me përfaqësues të organizatave sindikale dhe të punëdhënësve, ku në fokus ishin të drejtat e punëtorëve, ndryshimet në legjislacionin e punës, siguria në vendin e punës dhe nxitja e punësimit.
Hoti tha se institucionet, sindikatat dhe punëdhënësit duhet të bashkëpunojnë për të gjetur zgjidhje për çështjet që prekin punëtorët dhe tregun e punës.
Ai bëri të ditur se në programin legjislativ për vitet 2026–2027 është përfshirë ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit të Punës, i planifikuar për nëntor të vitit 2027. Po ashtu, theksoi rëndësinë e ndryshimeve ligjore për Inspektoratin e Punës dhe sigurinë e shëndetin në vendin e punës.
Ministri njoftoi se projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social është në përgatitje, me synimin që të dërgohet në Qeveri gjatë këtij viti, për të mundësuar konsultim më të rregullt ndërmjet Qeverisë, sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve.
Një tjetër çështje e trajtuar ishte punësimi i grave dhe të rinjve. Hoti tha se do të punohet për të përmirësuar lidhjen ndërmjet arsimit, aftësimit profesional dhe nevojave të tregut të punës. Ai gjithashtu bëri thirrje për përfshirjen e partnerëve socialë në hartimin e skemës së re të Garancisë për të Rinjtë, pas përmbylljes së fazës pilot.
Duke folur për pagën minimale, Hoti theksoi se ajo është rritur në 500 euro bruto nga 1 korriku i vitit 2026, për punë me orar të plotë. Sipas tij, krahas rritjes së pagës, rëndësi të veçantë ka edhe zbatimi i vendimit të Qeverisë dhe identifikimi i rasteve kur punëdhënësit nuk e respektojnë atë.
Në përfundim, ministri vlerësoi se dialogu social duhet të shërbejë për identifikimin e problemeve, shqyrtimin e propozimeve dhe përcaktimin e hapave konkretë për përmirësimin e kushteve të punës dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, raporton rtk.

