Përplasje te Ministria e Arsimit, policia shpërndan protestuesit me ujë me presion

Përplasje te Ministria e Arsimit, policia shpërndan protestuesit me ujë me presion

Protesta e studentëve është zhvendosur nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë te Ministria e Arsimit. Pas marshimit në bulevard, të rinjtë protestues iu drejtuan Ministrisë, që ka qenë prej ditësh pika qendrore e përplasjeve.

Ndryshe nga ditët e mëparshme, grupet e protestuesve të maskuar nuk u shfaqën në protestën para Kryeministrisë, megjithatë në ambientet para Ministrisë së Arsimit u shënuan sërish tensione.

Pasi disa të rinj të maskuar goditën me gurë, policia ndërhyri me autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e studentëve dhe pedagogëve.

Policia ka bërë thirrje të vazhdueshme për të protestuar paqësisht, në të kundërt ka paralajmëruar se do të përdorë ujin, gazin lotsjellës dhe do të kryejë ndalime. Policia paralajmëroi protestuesit se nëse qëllojnë me gurë do të veprojë në të gjitha mënyrat e mundshme.

Pas thirrjeve, goditjeve me gurë nga ana e protestuesve, policia iu përgjigj disa herë me ujë me presion.

Protestuesit vijuan të qëndrojnë në Rrugën e Durrësit, në përballje me policinë dhe autobotët e ujit.

Ndërsa autoboti i ujit dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë avancuan drejt protestuesve, këta të fundit hodhën mjete piroteknike.

Policia avancoi duke i shpërndarë protestuesit në disa drejtime. Të rinjtë u larguan nga Rruga e Durrësit dhe iu drejtuan Kryeministrisë.

Pranë godinës së Qeverisë, ata zhvendosën kosha dhe mjete të tjera për të krijuar barrikadë ndaj policisë.

Protesta e të rinjve hyri sot në ditën e tetë. Gjatë këtyre ditëve si pasojë e përplasjes ka pasur të lënduar si nga ana e protestuesve, ashtu dhe nga ana e policisë. Të lënduar kanë mbetur edhe të mitur, gazetarë dhe kalimtarë. /atsh/

Share This