
Franca në krizë të thellë/ Macron nën presion mes trazirave, ngërçit politik dhe ekonomisë në stanjacion
Franca po përballet me një nga periudhat më të vështira të viteve të fundit, teksa trazirat e dhunshme në rrugë po shoqërohen me një krizë politike dhe ekonomike që po vë në provë qeverinë e presidentit Emmanuel Macron. Vetëm pak muaj para hyrjes në fushatën presidenciale të vitit 2027, vendi po përjeton një klimë të rënduar nga pakënaqësia sociale, polarizimi politik dhe përkeqësimi i financave publike.
Fundjava e kaluar u karakterizua nga dhunë, zjarrvënie dhe plaçkitje në disa prej qyteteve më të mëdha franceze.
Rreth 2 400 persona u arrestuan, ndërsa dëmet materiale llogariten në qindra miliona euro. Situata ka ngritur pikëpyetje serioze për aftësinë e autoriteteve për të ruajtur rendin publik dhe për të adresuar shkaqet që kanë çuar në shpërthimin e zemërimit qytetar.
Kryeministri francez Sébastien Le Corneille e përshkroi situatën si një “rrëmujë të madhe”, duke pranuar hapur vështirësitë me të cilat po përballet qeveria.
Ndërkohë, demonstrata të reja janë paralajmëruar për ditët në vijim, ndërsa sindikatat po përgatiten për greva kombëtare gjatë muajit nëntor.
Kriza nisi me protesta studentore për kushtet në shkolla, mungesën e mësuesve dhe perspektivat e kufizuara të punësimit për të rinjtë. Me kalimin e javëve, protestat u zgjeruan duke përfshirë kategori të ndryshme të shoqërisë, të cilat shprehën pakënaqësi për rritjen e kostos së jetesës dhe cilësinë e shërbimeve publike.
Sipas të dhënave, më shumë se 6 mijë persona janë arrestuar që nga fillimi i protestave, ndërsa mbi 100 shkolla kanë pësuar dëmtime. Kulmi i tensioneve u arrit kur në Paris, Marsejë, Bordo dhe qytete të tjera shpërthyen përleshje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë.
Një nga episodet më simbolike ishte zjarri në bashkinë historike të Limoges, ku u dëmtua rëndë kulla e famshme e orës së ndërtesës, monument që kishte mbijetuar edhe dy luftërat botërore.
Përballë kritikave për menaxhimin e situatës, ministri i Brendshëm Laurent Nunez dha dorëheqjen, duke rënduar edhe më tej pozitën e qeverisë.
CCN shkruan se, trazirat kanë nxjerrë në pah edhe krizën politike që po kalon Franca. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2024 nuk arritën të krijonin stabilitet, por prodhuan një parlament të fragmentuar ku asnjë forcë politike nuk gëzon shumicë të qartë.
Në këtë klimë, forcat politike në skajet e spektrit po fitojnë terren. Marine Le Pen, e cila vazhdon të kryesojë në sondazhet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, po lidh trazirat me politikat e emigracionit dhe sigurisë. Nga ana tjetër, lideri i së majtës Jean-Luc Mélenchon akuzon qeverinë për përshkallëzimin e tensioneve përmes mënyrës së veprimit të forcave të rendit.
Debati politik është bërë gjithnjë e më i ashpër, me akuza të ndërsjella dhe mungesë konsensusi për zgjidhjen e krizës.
Presidenti Emmanuel Macron dënoi aktet e dhunës në një fjalim televiziv, por nuk paraqiti masa konkrete për adresimin e shkaqeve të krizës. Kjo është interpretuar nga kritikët si mungesë e një strategjie të qartë për dalje nga situata.
Në të njëjtën kohë, popullariteti i presidentit ka rënë ndjeshëm. Sondazhet e fundit tregojnë se niveli i miratimit për Macron luhatet mes 15 dhe 17 për qind, ndër nivelet më të ulëta që nga marrja e detyrës.
Një tjetër tregues shqetësues është perceptimi i qytetarëve për të ardhmen e vendit. Shumica e francezëve besojnë se Franca ndodhet në rënie dhe se sistemi politik nuk po arrin t’u përgjigjet sfidave që përballojnë familjet dhe bizneset.
Paralelisht me krizën sociale dhe politike, Franca po përballet me sfida serioze ekonomike. Inflacioni, kostot e larta të energjisë dhe ngadalësimi i investimeve po rëndojnë ekonominë, ndërsa sektori bujqësor është goditur nga kushtet ekstreme klimaterike.
Problemi më i madh mbetet borxhi publik, i cili ka arritur në rreth 119% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në vitin 2027, shteti francez planifikon të emetojë rreth 340 miliardë euro obligacione afatmesme dhe afatgjata, një nivel rekord huamarrjeje. /rtsh/

