Protestat e dhunshme në Tiranë bëjnë jehonë në botë

Protestat e dhunshme në Tiranë bëjnë jehonë në botë

Protestat studentore në Tiranë, ku po kërkohen kushte më të mira në universitete, ulje e kostove të arsimit, mbështetje financiare, mundësi punësimi dhe dorëheqja e Qeverisë Rama, kanë marrë vëmendjen e mediave të mëdha ndërkombëtare. Reuters, The Guardian, Deutsche Welle, Al Jazeera dhe Anadolu Agency kanë raportuar për përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe policisë, zjarrvëniet dhe dëmtimet e institucioneve e bizneseve.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters ka raportuar me titullin “Digjen banka dhe ndërtesa, Tirana përfshihet nga dhuna studentore”, duke theksuar se dhjetëra mijëra studentë kanë dalë në rrugët e kryeqytetit shqiptar për të protestuar kundër rritjes së kostove të arsimit dhe korrupsionit.

Sipas Reuters, protestuesit i kanë vënë flakën një ndërtese qeveritare dhe dy bankave, ndërsa kanë hedhur gurë në drejtim të policisë. Forcat e rendit kanë ndërhyrë me topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Agjencia ka raportuar gjithashtu se një degë e bankës Raiffeisen, pranë Ministrisë së Arsimit, është përfshirë nga zjarri.

Reuters i ka cilësuar protestat si shpërthimin më të dhunshëm deri më tani kundër kryeministrit Edi Rama, i cili ka fituar mandatin e katërt në zgjedhjet e majit të vitit të kaluar, por është përballur me pakënaqësi në rritje për shkak të dyshimeve për korrupsion që përfshijnë zyrtarë të lartë.

“Kjo është një revolucion. Jemi lodhur nga protestat paqësore. Nuk do të ndalemi derisa Rama të japë dorëheqje”, ka thënë për Reuters një studente e identifikuar si Lora.

The Guardian: Protestat studentore përshkallëzohen në dhunë

Edhe gazeta britanike The Guardian ka pasqyruar zhvillimet në Shqipëri, me titullin “Protestat studentore në Shqipëri përshkallëzohen në dhunë, protestuesit përleshen me policinë”.

Në raportimin e saj, The Guardian ka theksuar se një ndërtesë qeveritare dhe dy banka janë përfshirë nga zjarri, ndërsa dhjetëra mijëra persona kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër kostove të arsimit dhe korrupsionit.

Gazeta shkruan se protestat janë shpërthimi më i dhunshëm deri më tani kundër kryeministrit Edi Rama, ndërsa pakënaqësitë lidhen edhe me dyshimet për korrupsion të zyrtarëve të lartë.

The Guardian ka raportuar edhe për reagimin e Bashkimit Evropian, i cili ka shprehur shqetësim për “përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë”.

“Ne kemi marrë parasysh pretendimet për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve”, ka deklaruar Delegacioni i BE-së në Tiranë, duke bërë thirrje për hetim të shpejtë dhe ulje të tensioneve.

Euronews: Protestat në Tiranë përshkallëzohen në dhunë, intensifikohet “Revolucioni Flamingo”

Edhe Euronews ka pasqyruar protestat studentore në Tiranë, duke raportuar për përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe policisë, të cilat nisën më 13 tetor dhe vazhduan gjatë natës deri të mërkurën.

Sipas Euronews, qindra studentë u mblodhën para Ministrisë së Arsimit për të kërkuar kushte më të mira në universitete, mbështetje më të madhe financiare dhe mundësi më të mira punësimi. Protestat u përshkallëzuan me hedhje gurësh, thyerje xhamash dhe dëmtime biznesesh, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe topa uji.

Mediumi ka raportuar se 16 persona u arrestuan dhe ndaj 49 të tjerëve nisën procedura penale, ndërsa gjashtë zyrtarë policorë dhe të paktën një gazetar mbetën të lënduar.

Euronews ka theksuar se protestat studentore i janë bashkuar lëvizjes më të gjerë antiqeveritare “Revolucioni Flamingo”, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama për shkak të akuzave për korrupsion.

Protestuesit kundërshtojnë gjithashtu një projekt turistik luksoz në bregdet, të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, për shkak të shqetësimeve për ndikimin e tij në mjedis.

Deutsche Welle: Ministria e Arsimit përfshihet nga zjarri

Mediumi gjerman Deutsche Welle ka raportuar me titullin “Shqipëri: Ministria e Arsimit përfshihet nga zjarri gjatë protestës së studentëve”.

DW ka shkruar se policia ka angazhuar njësi për kontrollin e turmave dhe ka përdorur gaz lotsjellës e topa uji për të shpërndarë protestuesit në kryeqytetin shqiptar.

Sipas raportimit, mijëra protestues janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit, shumë prej tyre me fytyra të mbuluara, ndërsa disa kanë hedhur tulla në drejtim të ndërtesës, kanë dëmtuar barrierat dhe kanë përmbysur kazanët e mbeturinave.

Deutsche Welle ka krahasuar skenat e protestave në Tiranë me demonstratat studentore të zhvilluara në Francë gjatë javëve të fundit.

Mediumi gjerman ka përcjellë edhe reagimin e zëvendëskryeministres Albana Koçiu, e cila ka thënë se ishte “zhgënjyese të shihje kulturën e protestës të degjeneronte në dhunë të orkestruar”.

Al Jazeera: Përplasje të dhunshme mes studentëve dhe policisë

Al Jazeera ka pasqyruar protestat në Shqipëri përmes një fotoreportazhi me titullin “Protesta studentore në Shqipëri shkakton përplasje të dhunshme me policinë”.

Mediumi ka raportuar se qindra studentë kanë hedhur tulla dhe blloqe betoni në drejtim të Ministrisë së Arsimit, ndërsa policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe topa uji.

Sipas Al Jazeera-s, organizatorët studentorë kanë thënë se protestat janë nxitur nga përkeqësimi i kushteve në universitete, kostot e larta të arsimit, mbështetja e kufizuar financiare dhe mungesa e mundësive të punësimit pas diplomimit.

“Ajo që i duhet Shqipërisë është një revolucion, një ndryshim, një përmbysje e plotë e sistemit, sepse kështu nuk mund të vazhdohet”, ka thënë protestuesja Luljeta Kola.

Al Jazeera ka publikuar edhe fotografi nga përplasjet, ku shihen protestues duke hedhur gurë, ndërhyrjet e policisë me gaz lotsjellës dhe topa uji, si dhe persona të lënduar gjatë demonstratave.

Anadolu Agency: Zjarr në Ministrinë e Arsimit, BE-ja kërkon hetime

Agjencia turke e lajmeve Anadolu Agency ka raportuar me titullin “Zjarr në Ministrinë e Arsimit në Shqipëri gjatë protestave studentore”.

Duke iu referuar medias shqiptare Shekulli, agjencia ka shkruar se disa studentë kanë kapërcyer murin dhe kanë hyrë në oborrin e ministrisë, ndërsa flakët janë parë në një dritare të katit të dytë.

Protestuesit kanë ndërtuar barrikada me kangjella, u kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave dhe reklamave në rrugë, si dhe kanë hedhur gurë e objekte të tjera drejt policisë.

Anadolu Agency ka raportuar se zjarrfikësit kanë mbërritur për të shuar flakët, ndërsa përplasjet kanë vazhduar në rrugët përreth.

Agjencia ka përcjellë edhe reagimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, i cili ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e situatës dhe ka kërkuar hetimin e pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.

Delegacioni ka theksuar se veprimet e policisë duhet të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, duke u bërë thirrje të gjitha palëve për uljen e tensioneve dhe dialog konstruktiv. /rtk/

Share This