Regbi, Kosova mund Shqipërinë
Të enjten pasdreke, në Stadiumin “Kukës Arena” të qytetit verilindor është zhvilluar ndeshja miqësore në regbi midis përfaqësueses së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë, kjo ndeshje historike mbarëkombëtare për këtë sport, është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe në të njëjtën kohë nga Rrjeti Radio-Televizionit Shqiptar dhe Radio-Televizioni i Kosovës. Në fakt, pjesa e parë e kësaj ndeshjeje ka qenë kryesisht e barbartë, me Kosovën që kryeson deri në 7-0, por me Shqipërinë që kundërpërgjigjet, duke ngushtuar shifrat në 5-7.
Por Kosova e thellon epërsinë në 14-5 dhe, megjithë një përpjekjeje të kuqezinjve, do ta mbyllë pjesën e parë në epërsi 14-12. Pjesa e dytë ka qenë e mbizotëruar plotësisht nga përfaqësuesja e Kosovës, e cila, falë përvojës më të madhe, por edhe një përqendrimi më të madh dhe forme më të mirë fizike nuk ka lëshuar as terren e as pikë, duke vijuar të shënojë edhe 20 pikë të tjera.
Ndryshe nga kuqezinjtë, lojtarët e Kosovës kanë qenë më të saktë nga përpjekjet e tyre për t’i kurorëzuar me pikë të plota, 5, aksionet e ture, por edhe nga goditjet nga penalltitë e golit, që vlejnë dy pikë, por edhe nga penalltitë e lojës, që vlejnë 3 pikë.
Mbyllet kështu me rezultatin 34-12 kjo miqësore midis Shqipërisë dhe Kosovës, që shpresohet të ndiqet nga të tjera ndeshje, me synimin për rritjen dhe përhapjen e regbisë në trojet shqiptare.