Studentët vijojnë protestën me akte dhune te Ministria e Arsimit, i vënë zjarrin koshave dhe shkulin kangjellat

Studentët vijojnë protestën me akte dhune te Ministria e Arsimit, i vënë zjarrin koshave dhe shkulin kangjellat

Edhe pse kishin paralajmëruar protestë pasditen e sotme, studentët pas marshimit nga drejtime të ndryshme u mblodhën para Ministrisë së Arsimit.

Studentë nga disa fakultete të ndryshme të Tiranës bojkotuan sot mësimin dhe janë grumbulluar tashmë ndërsa të rinj të maskuar po ashtu shkulën kangjellat metalike përgjatë trotuarit të rrugës së Durrësit dhe qëlluan me gurë në drejtim të godinës së Ministrisë së Arsimit.

“Nuk duam të largohemi, duam të luftojmë për vendin tonë. Ne kërkojmë largimin e të gjithëve pasi nuk po na ofrojmë asgjë”, tha një nga studentët.

“Dy muaj protesta të qeta nuk u dëgjuan, kështu një mënyrë më e dhunshme do të tërheqë vëmendjen e qeverisë”, tha një tjetër student.

Studentët që kanë bojkotuar auditorët janë të Universitetit të Mjekësisë, UBT-së, Politeknikut, Fakultetit të Drejtësisë, të Fakultetit Ekonomik si dhe të Filologjikut.

Policia është pozicionuar brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit.

Më pas, gjatë tubimit, një pjesë e të rinjve dogjën tabelat e reklamave si dhe disa kosha mbeturinash.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ndërhynë për të larguar protestuesit, ndërkohë që të rinj u kundërpërgjigjën duke qëlluar me gurë. FNSH përdori ujin me presion për të larguar të rinjtë ndërsa shoi flakët e koshave në rrugë. /atsh/

Share This