
Rudolph: Ngërçi institucional ka përfunduar, Gjermania partnere e Kosovës
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka thënë se Gjermania dëshiron ta shohë Kosovën si partnere në Evropë dhe në Bashkimin Evropian, duke theksuar se pas zgjidhjes së ngërçit institucional, Kosova është në pozitë për ta ndjekur sërish në mënyrë aktive agjendën e saj evropiane.
Në fjalimin e tij me rastin e pritjes për Ditën e Bashkimit Gjerman 2026, Rudolph tha se pret të punojë me presidenten e sapozgjedhur, Qeverinë dhe institucionet e Kosovës për avancimin e kësaj agjende.
“Ngërçi institucional ka përfunduar. Pres me padurim të punoj me Presidenten e sapozgjedhur, Qeverinë dhe të gjitha institucionet në Kosovë për një agjendë që nuk ka ndryshuar që nga ardhja ime këtu një vit më parë: Gjermania dëshiron ta shohë Kosovën si partnere në Evropë. Si partnere në Bashkimin Evropian dhe institucionet e tij”, tha diplomati gjerman.
Ai tha se e ka përjetuar nga afër se marrëdhënia mes dy vendeve tona është shumë më e thellë dhe më e afërt se gjithçka që mund të arrijë puna e një ambasade.
“Duket se pothuajse çdo familje këtu ka lidhjet e veta personale me Gjermaninë. Kam kuptuar se, në të vërtetë, ne jemi familje. Dhe kjo ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme çdo ditë. Ambiciet evropiane të Kosovës janë më të rëndësishme se kurrë. Pas zgjidhjes së krizës institucionale, pres me padurim të punojmë me energji të re si për bashkëpunimin tonë dypalësh, ashtu edhe për agjendën evropiane të Kosovës. Duke krijuar institucione të qëndrueshme, vendi tani e ka vendosur veten në një pozitë për ta ndjekur sërish në mënyrë aktive këtë agjendë”, tha ai.
Duke shtuar se kjo nuk do të thotë se rruga përpara do të jetë gjithmonë e lehtë. “Ky proces do të kërkojë ende debate dhe vendime të vështira, si brenda vendit, ashtu edhe me të tjerët. Mund të shtoj se edhe përvoja e vendit tim është dëshmi për këtë. E megjithatë, dua t’ju inkurajoj fuqishëm që të vazhdoni ta ndiqni këtë synim ambicioz. E di se në Kosovë ka padurim për një proces që tashmë duket se po zgjat shumë. Dhe më besoni, edhe unë e ndaj këtë padurim. Por, në njëfarë kuptimi, synimi për integrimin e plotë të Kosovës në strukturat evropiane mund të jetë sot edhe më i rëndësishëm sesa ishte kur e nisët këtë rrugë”, tha ai, raporton rtk.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, beson se është koha që vendi të ndërtojë mbi këtë sukses.
Diplomati gjerman tha se nga vizitat e tij në shkolla të mesme dhe universitete, ku ka takuar studentë të rinj, i kanë bërë përshtypje se sa shumë prej tyre e shohin të ardhmen e tyre në Evropë.
“Dhe kjo është inkurajuese. Por besoj se ambicia e vendit mund të jetë edhe më e madhe: Unë i shoh të gjithë të rinjtë kosovarë si qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian. Te ta shoh atë që na nevojitet në Evropë dhe atë për të cilën shpresoj: një Kosovë aktive për një Evropë të fortë dhe paqësore. Jam i lumtur që vendi tani është i gatshëm të ecë përpara. Gjermania do të vazhdojë me ju në këtë rrugë, si mike dhe partnere, ashtu siç ka bërë gjithmonë”, tha ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

