Roma humbet Dybalan, argjentinasi mungon ndaj Milanit
Paulo Dybala do të mungojë në ndeshjen e radhës në kampionatin italian, që Roma do të luajë kundër Milanit në “San Siro” të dielën në mbrëmje.
Argjentinasi luajti vetëm pjesën e parë në derbin kundër Lazios në Kupën e Italisë, pasi u zëvendësua nga trajneri Mourinho për shkak të një dëmtimi.
Lojtari nuk u stërvit me skuadrën ditën e sotme dhe u vizitua nga mjekët e Romës.
Është e sigurt mungesa e tij në ndeshjen e ardhshme kundër Milanit, ndërsa në orët e ardhshme do të kryhen kontrolle më të specializuara për të përcaktuar shkallën e dëmtimit.
Nuk ka qenë një sezon i mbarë ky aktuali për Dybala, që për shkak dëmtimesh ka munguar në 7 ndeshje të Romës deri më tani.