Gazeta kroate i thur lavde Hoxhës: Është profesionist, luftëtar, Dinamo nuk ka prej kohësh një si ai
Arbër Hoxha ka bërë hapin e madh në karrierë dhe brenda ditësh, ose orësh, pritet të jetë zyrtarisht futbollist i Dinamos së Zagrebit.
Ish-futbollisti i Prishtinës e Ballkanit ka kaluar nga Sllaven Belupo te gjiganti kroat në një marrëveshje që kap shifrën e dy milionë eurove, raportuan mediet kroate të hënën. Gazeta kroate “Jutarnji List” e cilëson Hoxhën xhevahir të ligës kroate.
Tek Arbër Hoxha Dinamo do të marrë përforcimin që nuk e ka prej kohësh.
“Ai është një lojtar që trajneri i bluve Sergej Jakiroviq e donte në dhomën e tij të zhveshjes për disa arsye dhe, ndoshta, më e rëndësishmja, është se ky kosovar i lindur në Gjermani mund ta bëjë dallimin menjëherë në krahun e majtë”, shkruan gazeta.
Hoxha ka kohë që është në formë të mirë dhe, siç shkruan “Jutarnji List”, ai është një profesionist i jashtëzakonshëm, kujdeset për veten dhe trupin e tij, i është përkushtuar plotësisht futbollit dhe nuk është i prirë për lëndime.
“Ai tërhoqi vëmendjen me cilësitë e tij që rrallëherë i gjejmë ‘në paketim’. Hoxha ka shpejtësinë e nevojshme për një anësor, është në gjendje të driblojë pothuajse çdo lojtar kundërshtar në situata ballë për ballë dhe karakterizohet nga një goditje e fuqishme dhe e saktë”, shkruan “Jutarnji List”.
Megjithëkëtë, është e rëndësishme të theksohet se ai nuk është i panevojshëm as në fazën e mbrojtjes. Hoxha i kryen pa diskutim të gjitha detyrat në mbrojtje, përcjell mbrojtësin kundërshtar dhe nëse është e nevojshme, mbulon edhe shokun e skuadrës në pozicionin e mbrojtësit të majtë. Gazeta kroate vijon duke shkruar se të gjitha këto tipare të Hoxhës mund t’u kujtojnë tifozëve të Dinamos heroin e tyre të periudhës së fundit, Mislav Orshiqin, i cili u largua janarin e vitit të kaluar për mbi 5 milionë euro te Southamptoni, asokohe në Premierë Ligë.
“Natyrisht ne nuk pretendojmë se Hoxha është ‘pasardhësi i Orshiqit’. Ai do të duhet të tregojë shumë për ta merituar këtë pseudonim, por gjithsesi ai ka potencial të madh që do të dalë edhe më shumë në pah në një skuadër më të mirë sesa Slloveni”, shkruan gazeta.
Duke qenë se është 25 vjeç, Hoxha ka potencial për një transferim nga Dinamo jashtë Kroacisë, por në këtë moment më e rëndësishmja për 24-herë kampionët e Kroacisë është se ata e kanë forcuar sulmin me një lojtar që mund të luajë menjëherë. Ai e njeh ligën dhe është në formë. Ndoshta nuk do t’i duhet shumë një periudhë përshtatjeje, vijon shkrimi i “Jutarnji List”.
Si lojtar i Dinamos, Hoxha sigurisht se do të bëhet më interesant edhe në sytë e drejtuesve të kombëtares shqiptare, pasaportën e së cilës e ka marrë së fundmi, pikërisht për arsye futbolli. Nuk është e pamundur që Hoxha të luajë për Shqipërinë kundër Kroacisë në Kampionatin Evropian verën e ardhshme.