De Laurentiis i plotëson të gjitha kërkesat, Conte i thotë JO superofertës nga Napoli

De Laurentiis i plotëson të gjitha kërkesat, Conte i thotë JO superofertës nga Napoli

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis ka bërë tentativën e radhës për të ulur në stolin e skuadrës Antonio Conten.

Sipas “Il Mattino”, kjo nuk është një mungesë respekti ndaj Walter Mazzarrit, për të cilin numri një i klubit ka respekt, por De Laurentiis ka dashur të ndryshojë menjëherë trajnerin, duke menduar që tani për sezonin e ardhshëm.

Bisedimet kanë nisur të dielën në mbrëmje (pas disfatës ndaj Torinos) dhe kanë vazhduar edhe ditën e djeshme, madje De Laurentiis kishte vendosur që të plotësonte të gjitha kërkesat e Contes.

Presidenti i Napolit ishte i gatshëm që t’i ofronte një kontratë 3 vite e gjysmë, ku tekniku do të përfitonte 8 milionë euro në sezon. Conte do të kishte dorë të lirë për merkaton, duke përfshirë edhe atë të janarit.

Por tekniku ka refuzuar këtë ofertë dhe ka theksuar se do të kthehet në stol vetëm në fund të sezonit dhe nuk ka ndërmend që të marrë drejtimin e ndonjë skuadre gjatë kampionatit aktual.

Nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë të bujshme, Walter Mazzarri do të jetë trajneri i Napolit deri në fund të sezonit aktual.

Share This